Gramshi me trajner të ri. Një peruan “hero” në Cërrik, ndërsa në Pukë ka apel për ekipin. Lajme shkurt nga Kategoria Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2024 | 15:28

Gramshi me trajner të ri. Një peruan “hero” në Cërrik, ndërsa në Pukë ka apel për ekipin. Lajme shkurt nga Kategoria Dytë

Nga pankina e Gramshit largohen Hetlem Çapja dhe Madrid Isufi dhe në vend të tyre janë emëruar Besnik Bashalliu dhe Shkëlqim Lleshanaku.

gramshi

Rezultatet e dobëta të Gramshit, kanë bërë që dy trajnerët që morën drejtimit e kipit në fillim të sezonit, Hetlem Çapja dhe Madrid Isufi, të japin dorëheqjen. Në vend të tyre, klubi i kuq ka emëruar dy elbasanas të tjerë, Besnik Bashalliu dhe Shkëlqim Lleshanaku. Të dy teknikët rikthehet te Gramshi pas 12 vitesh. Ata e kanë drejtuar edhe më parë këtë skuadër.

Kryetari i Bashkisë Gramsh, Besian Ajazi, në rolin e presidentit të ekipit, i ka uruar suksese dyshes së re drejtuese Bashalliu – Lleshanaku. Gramshi këtë fundjavë do të udhëtojë në Barbullush, ku do të ndeshet me Murlanin vendas. Të kuqtë do kërkojnë fitoren e parë në këtë kampionat, që do të shënojë edhe kthesën. Praktikisht në letër mendohet si ndeshja ku Gramshi ka shansin për të ndryshuar trajektore dhe për të nisur ngjitjen në renditje. MARIGLEN MIRAKA

 

 

TURBINA

Një peruan bëhet “hero” në Cërrik, Ribaldo shënjestron Luftëtarin

Turbina pas pesë javësh ka marrë fitoren e parë, ku në javën e fundit të besuarit e trajnerit Çutra mposhtën skuadrën e Maliqit në stadiumin “Nexhip Trungu” të Cërrikut. Protagonist i këtij suksesi ishte peruani Ribaldo, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” u shpreh i lumtur që i dha fitoren Turbinës. “Jam shumë i lumtur dhe tepër i gëzuar që i shënova dy gola të bukur Maliqit. Jo vetëm kaq, por i dhashë trepikëshin e parë skuadrës. Kjo fitore na çliroi nga ngërçi. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të mos ndalemi më. Këtë fundjavë do të udhëtojmë për t’u përballur me Luftëtarin, ku do synojmë prapë fitoren. Nuk do të jetë e lehtë për ne, por do guxojmë dhe do kthehemi në Cërrik me duart plotë”, u shpreh peruani RibaldoMARIGLEN MIRAKA

 

Pukjanët

Tërbuni, zbardhet kërkesa e stafit teknik për lojtarët

Humbja me Besëlidhjen nuk është pritur mirë nga drejtuesit pukjanë. Tërbuni e ka analizuar këtë disfatë, ku trajneri Bardhi dhe drejtori Pjetri u kanë kërkuar lojtarëve të jenë shumë të kujdesshëm në vazhdim dhe të merren pikët e mundshme. Nigeriani 20-vjeçar, Emanuel Lounge, ka spikatur te Tërbuni ku shënuar edhe 2 gola. Për “Panorama Sport” ai u shpreh: “Jam i kënaqur që jam pjesë e Tërbunit. Shpresoj shumë që në vazhdim të arrijmë te rezultatet pozitive.

U bëra pjesë e skuadrës këtë sezon dhe dëshiroj ta shoh ekipin aty ku e meriton dhe ku e dëshiron tifozëria pukjane. E ndjej si detyrim të jap më të mirën në çdo ndeshje dhe të shënoj sa më shumë gola, gjithnjë me ndihmën e shokëve. Kam besim se me pak vëmendje do të marrim rezultate pozitive dhe të arrijmë ta rikthejmë këtë ekip në Kategorinë e Parë. Ndeshjen me Besëlidhjen duhet ta lënë pas krahëve dhe tani të shohim përpara”GANI PEMA

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"