Gugash Magani: Sezoni të mbyllet patjetër në fushë, Tirana e meriton titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2020 | 20:17

Gugash Magani: Sezoni të mbyllet patjetër në fushë, Tirana e meriton titullin kampion

Si të gjithë shqiptarët, edhe ish-trajneri i Besës, Gugash Magani, po zbaton me përpikmëri rregullat e mbrojtjes nga Covid-19. A ndodh ta “thyejë” këtë rregull Magani? Çfarë mendon ai për situatën, futbollistët dhe kampionatet? Tashmë që nuk është më trajner i Besës, çfarë mendon për ekipin që drejtoi? Pse dha dorëheqjen e parevokueshme kur djersiti shumë për këtë Besë? Po titulli, a i takon Tiranës? Ja përgjigjet që dha për “Panorama Sport” trajneri Magani:

image104

Si ndihet Gugash Magani në situarën që po kalojmë?
Së pari, dua t’u shpreh ngushëllimet gjithë familjeve shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë për humbjen e njerëzve të tyre të dashur nga ky virus vdekjeprurës. Është një goditje tinzare dhe që kërkon kujdes maksimal, por edhe ndihmën e Zotit për secilin prej nesh. Në këtë situatë, si të gjithë, edhe unë kujdesem maksimalisht të zbatoj porositë e mjekëve. Për ne njerëzit e sportit, që gjithë jetën kemi vrapuar plot energji, qëndrimi në karantinë është më i vështirë se për të tjerët. Ne nuk e kuptojmë jetën pa stërvitjen, vrapimet dhe emocionet që të jep futbolli. Adrenalina që na jep ai na bën shumë herë më të fortë. Na mungon shumë futbolli.


E ka “thyer” Magani ndonjëherë rregullin?
E thyej përditë (qesh). Bëj shaka, kam një biznes këtu në Peqin dhe  çdo ditë dal te puna ime. Dal vetëm unë, sepse familja qëndron në karantinë.


Përse dha dorëheqjen nga Besa trajneri Gugash Magani?
Dua të them se asnjë trajner nuk e ka të lehtë të ndahet nga ata djem, me të cilët ka gëzuar, është hidhëruar, ka përjetuar emocione që vetëm magjia e futbollit t’i dhuron. Besa teorikisht dhe praktikisht nuk mund ta kapte Superligën. Në këto kushte gjykova të shoh pak edhe detyrimet e mija personale. Kjo është e gjitha.
magani flamurtari

Te Besa punuat një sezon të tërë. Çfarë kishte dhe çfarë i mungoi këtij ekipi?
E nisëm jo mirë, me një kontigjent të cunguar lojtarësh, ku shumica ishin 18-19-vjeçarë dhe luanin për herë të parë në Kategorinë e Parë. Bëmë maksimumin e mundshëm me këtë grup deri në dhjetor. Pastaj erdhën disa përforcime me vlerë, por ishte vonë për të qenë në krye. Tashmë mund të flitet vetëm për të ardhmen. Personalisht, mendoj se nëse ruhet ky grup, me fare pak përforcime, besoj se sezonin tjetër Besa me siguri do rikthehet në Superligë.
gugash magani

Po vetë Magani, a do të rikthehet në Superligë?
Profesioni ynë është sa i vështirë, aq edhe i paparashikueshëm. Prandaj, “kurrë mos thuaj kurrë”, por për momentin qytetarët kanë të tjera halle. Sigurisht, jeta do të vijojë dhe ajo është e bukur. Ne duhet të shohim vetëm përpara dhe të jemi optimistë.


Ndonjë këshillë për ish-futbollistët tuaj?
Të vijojnë të ndjekin ëndrrën e tyre, pasi shumica janë të rinj. Jeta vazhdon dhe plotësimi i ëndrrës së tyre kërkon që ta ushqejnë atë. Dua të them se në këto kushte të vijojnë të stërviten sipas kushteve që kanë secili. Kurrsesi nuk duhet të lënë aktivitetin sportiv. Shumica prej tyre kanë vërtet talent e pasion të madh për futbollin. Askush s’na i vret ëndrrat. Bëjani hyzmetin pasionit tuaj!


Cila do të ishte, sipas jush, zgjidhja për këtë sezon, a do të arrijnë të mbyllen kampionatet?
Për ne njerëzit që njohim vetëm djersën, fushën e blertë, nuk diskutohet që do preferoja që të gjitha verdiktet të jepeshin nga fusha e blertë. Modalitetet i cakton Federata. Gjykoj që ndeshjet, në çfarëdo formati, duhet të luhen, sepse kjo është zgjidhja më e drejtë. Të gjitha ekipet do të ndjeheshin në kushte të barabarta, pas mungesës së stërvitjes dhe karantinimit. Sigurisht, do të luhet pa praninë e tifozëve.


Titulli në Superiore, i takon Tiranës?
Mendoj se Tirana e meriton titullin, nëse sot do të mbyllej kampionati. Ka dëshmuar vazhdimësi rezultatesh dhe kryesimi është vetëm falë djersës që ka derdhur në fushë.

LACI TIRANA


Si e gjykoni përjashtimin e Shkumbinit?
E quaj një gabim përjashtimin e Shkumbinit nga çdo aktivitet, sepse futbolli, në Shqipëri të paktën, nuk është biznes, por argëtimi i vetëm që shumë qytete kanë. Këtu bën pjesë edhe Peqini.

shkumbini

Një mendim për Flamurtarin, një tjetër ish-ekip i juaji?

Flamurtari? Sigurisht që më vjen keq, pasi Vlora e do futbollin, e ka në gen. Flamurtari ka bërë histori dhe ka shumë të rinj të talentuar që e shohin skuadrën e qytetit si ngjyrat e jetës dhe si ëndrrën e tyre.

flamurtari

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"