Gvozdenoviç e pranon: Skënderbeu në krizë, por do të ndryshojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 16:29

Gvozdenoviç e pranon: Skënderbeu në krizë, por do të ndryshojmë

Është momenti që korçarët të bëjnë kthesën në kampionat. Krizën e Skënderbeut e pranon edhe trajneri Ivan Gvozdenoviç. Në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport”, kreu i stolit korçar shprehet se situata është e tillë për shkak të rezultateve të javëve të fundit, por ai ka besim se ndryshimi do të fillojë që këtë fundjavë në ndeshjen me Bylisin.

gvozdenovic

“Po e kam thënë edhe pas ndeshjes së fundit me Egnatian se jemi në krizë. Po të shikojmë rezultatet e javëve të fundit, nuk janë të mira. Në katër ndeshjet e fundit kemi pësuar tri humbje dhe kjo bën që të jemi në krizë. Strategjia për ndryshim? Nuk mund të flasim shumë për strategji në këtë moment, por patjetër na duhet të ndryshojmë diçka. Kemi edhe tri ditë kohë deri në ndeshjen me Bylisin dhe do të mundohemi të përgatitemi sa më mirë. Jemi pozitivë dhe jam i sigurt se do të bëjmë një ndeshje të mirë, me qetësi dhe përqendrim”, ka theksuar për gazetën trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç.

PRESIONI – “Ka presion aktualisht, por ne kemi presion që nga java e parë e kampionatit, ndërkohë që tani kanë kaluar 8 javë. Por do të thosha se presioni është pjesë e futbollit dhe do të vazhdojmë kështu. Ne do të luajmë fort kundër Bylisit, do të bëjmë maksimumin në fushë, pastaj do të shohim për rezultatin. Nuk dua të shtoj më shumë presion te lojtarët, sepse ata e dinë mirë situatën ku ndodhet Skënderbeut aktualisht. E përsëris, duhet të hyjmë në fushë me besim të madh në forcat tona dhe të japim gjithçka në fushë”, shtoi më tej numri 1 i stolit korçar.

GJENDJA – Skënderbeu ka të paktën një mungesë për ndeshjen e kësaj fundjave ndaj Bylisit. Në transfertën e Ballshit nuk është i disponueshëm mbrojtësi Vaskez, për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Egnatias. Po ashtu, duhet parë gjendja e sulmuesit Ardit Nikaj, i dëmtuar disa ditë më parë në grumbullimin e Shpresave. Me skuadrën janë bashkuar dje Janaqi dhe Rashica, të cilët gjithashtu ishin të angazhuar me Kombëtaren U-21, por vetëm sulmuesi luajti ditën e martë në “Air Albania”.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"