Gvozdenoviç është i bindur: Dinamo e fortë, por Skënderbeu del nga kriza
Skënderbeu ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen me Dinamon, që luhet sot, në orën 17:00, në stadiumin e Korçës.Trajneri Ivan Gvozdenoviç për mediat ka deklaruar se skuadra e tij është gati për këtë përballje, pasi ndërprerja e ka ndihmuar për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar. Trajneri i korçarëve u shpreh se e di forcën e Dinamos dhe sidomos tani që drejtohet nga kolegu Ilir Daja, por ka garantuar se Skënderbeu do të japë gjithçka në fushë për të kaluar krizën.
Gvozdenoviç, dy javë në dispozicion për ndeshjen kundër Dinamos. A është gati Skënderbeu?
Ishte momenti më i mirë për të bërë këtë pauzë, kishim nevojë për kohë për të punuar me ekipin. Po kalonim një moment të keq dhe ndoshta kjo kohë do të na shërbejë për të qetësuar ekipin psikologjikisht. Mendoj se kështu ka qenë dhe kemi bërë një punë të mirë.
Vjen Dinamo e Ilir Dajës, si e shikoni këtë përballje?
Dinamo është një ekip shumë i mirë dhe ka një trajner shumë të mirë, si Ilir Daja. Do të jetë një ndeshje e vështirë, e kemi vlerësuar në maksimum kundërshtarin. Është një skuadër me ambicie, e fortë dhe që ka investuar shumë. Jam i bindur se do të jetë një ndeshje e fortë dhe interesante.
Do të luhet në temperatura të ulëta kjo sfidë. A është në favorin tuaj?
Nuk besoj se do të ndikojnë temperaturat në këtë ndeshje. Ne nuk na tremb asgjë, jemi “Ujqërit e dëborës” dhe do të jemi gati që të luftojmë në fushë, t’i provojmë të gjitha për të marrë maksimumin.
Si vjen Skënderbeu në këtë takim?
Gjatë kësaj periudhe kemi punuar shumë për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar dhe për të sjellë në formë të mirë ata elementë, që kishin humbur disi nivelin e tyre. Mendoj se jemi mirë. Kemi vetëm dy mungesa, si Prençi dhe Ramos, por do të përpiqemi me stafin të bëjmë zgjedhjen e duhur sa i përket formacionit.
A është ky momenti që Skënderbeu ta kalojë krizën?
Besoj shumë se do të jemi në gjendje ta kalojmë këtë moment të vështirë. Edhe ndaj Teutës ishte një ndeshje e vështirë, por kemi marrë pikë. Tani duhet të marrim maksimumin dhe çunat janë gati për të dhënë gjithçka që kanë. Besoj është momenti të lemë pas krizën dhe të ecim drejt rezultateve pozitive.
A ka dilema Gvozdenoviç për formacionin?
Ne kemi 25 lojtarë që janë gati për të luajtur në formacion dhe mungesat nuk është se janë shqetësim i madh. Por kemi punuar gjatë këtyre ditëve për të zgjedhur elementët që janë më në formë dhe që kanë më shumë grintë për të kaluar këtë moment. Kemi vetëm një dilemë sa i përket formacionit, që do të vendosim para ndeshjes se si do t’i japim zgjidhje. Pjesa tjetër është thuajse e mbyllur sa i takon grupit të titullarëve.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"