Gvozdenoviç shkund Skënderbeun në analizë pas humbjes: Nuk ishim të këqij sa duhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2024 | 9:43

Gvozdenoviç shkund Skënderbeun në analizë pas humbjes: Nuk ishim të këqij sa duhet

Skënderbeu nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të reagojë menjëherë pas humbjes në shtëpi përballë Teutës dhe trajneri Ivan Gvozdenoviç ka kërkuar të rinisë gjithçka nga fillimi. Për këtë arsye kryepankina korçare ka mbajtur ekipin për më shumë sesa 90 minuta në një seancë të plotë stërvitore.

ivan gvozdenovic

Rikthimi te rezultatet pozitive në ndeshjen e radhës ka qenë ajo që Gvozdenoviç ka kërkuar me ngulm në momentin e analizës së parë me ekipin. Në mbledhjen para stërvitjes numri një i korçarëve ka folur rreth paraqitjes jo fort pozitive të ekipit në pjesën e dytë dhe menaxhimin më të mirë të ndeshjes kur ka qenë në avantazh.

“Është ndeshja e dytë pas Elbasanit që ne shkojmë në avantazh dhe i japim mundësi kundërshtarit që të na barazojë. Kjo tregon se nuk jem aq të këqij sa duhet për të mbyllur ndeshjen dhe jo aq të vëmendshëm për të ulur ritmin e ekipit kundërshtar në momentin kur ai kërkon reagimin. Kemi gabuar edhe për vendosjet te goditjet standarde, pasi nuk kemi qenë të rreshtuar mirë te goli i pësuar nga Teuta. Ndaj edhe kjo është diçka që duam ta rregullojmë menjëherë duke filluar nga ndeshja e radhës. Kemi qenë mirë, por nuk kemi mundur të mbyllim ndeshjen.

Ndaj duhet që të jemi të kujdesshëm që të mos lejojmë më shumë hapësira për kundërshtarin kur ne kemi avantazhin dhe sigurinë e fitores. Kjo duhet të na kthehet në mësim. Kemi një ndeshje të vështirë shumë shpejt ndaj Dinamos dhe duhet të punojmë fort. Le të harrojmë këtë humbje dhe të reagojmë më së miri. Duhet të nxjerrim zjarr në fushë kundër Dinamos për të marrë atë që kërkojmë dhe atë që është objektiv i Skënderbeut”, theksoi fillimisht trajneri i Skënderbeut para lojtarëve.

LOJTARËT – Për ndeshjen e radhës kundër Dinamos, Skënderbeu do të ketë mundësinë e një grupi më të plotë lojtarësh, ndaj edhe për këtë Gvozdenoviç do të mund të zgjedhë gjithçka mirë dhe lojtarët që gëzojnë formë më të përshtatshme. Në të tilla kushte rikthimi i Janaqit është shumë i mundshëm, teksa edhe kartat për Albi Dokën pritet që të vijnë nga momenti në moment.

Kjo do të jetë një plus i madh për korçarët para ndeshjes me Dinamon. Pritet që e premtja të tregojë më saktë forcën dhe formën e ekipit në seancën stërvitore dhe mbi të gjitha me grupin e lojtarëve që do të ketë në dispozicion Gvozdenoviç.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"