Hamilton dhe depresioni: Kam vuajtur që në fëmijëri, s’kisha me kë të flisja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2024 | 14:48

Hamilton dhe depresioni: Kam vuajtur që në fëmijëri, s’kisha me kë të flisja

Luis Hamilton nuk është tipi i njeriut që fsheh vështirësitë e tij. Në shumë vite të Formulës 1, shtatë herë kampioni i botës ka zbuluar disa nga dobësitë e tij: marrëdhënien fillimisht problematike me babain e tij Entoni, dyshimet për vlerën e tij dhe pasojat psikologjike pas humbjes së shumëpërfolur në Botërorin 2021.

hemilton

Së fundmi, në një intervistë me gazetën britanike “Sunday Times”, piloti i Mercedesit, i cili do të bashkohet me Ferrarin sezonin e ardhshëm, rrëfeu se kishte pasur një pengesë tjetër gjatë jetës së tij: depresionin.

ADOLESHENCA E VËSHTIRË – Hamilton pranon se ai ndihej veçanërisht i brishtë gjatë adoleshencës së tij dhe sezoneve para se të mbërrinte në Formula 1: “Gjatë gjithë jetës sime jam marrë me shëndetin tim mendor. Kam vuajtur nga depresioni në një moshë shumë të hershme, kur isha rreth 13 vjeç. Mendoj se është diktuar nga presioni i garave dhe problemet në shkollë, si bullizmi”, rrëfen Hamilton.

Një shqetësim i përkeqësuar nga vështirësia për të gjetur dikë të përshtatshëm për ta dëgjuar: “Nuk kisha asnjë me kë të flisja për këtë”. As takimi me një psikolog nuk e kishte ndihmuar ta menaxhonte mirë këtë fazë, ndonëse Luis e komenton kështu këtë pjesë: “Nuk kishte qenë shumë e dobishme, por do të më pëlqente ta provoja sot”.

FORMA E RIGJETUR – Gjatë pandemisë, Luis Hamilton vendosi një rutinë të re: zgjim rreth orës 5 në mëngjes dhe vrapim rreth 10 kilometra, duke reflektuar për veten e tij: “Gjeta një mënyrë vërtet fantastike për të hyrë në kontakt me veten, me ndjenjat e mia të brendshme dhe për të kuptuar atë që unë mund të bëj”. Për momentin britaniku mbetet i fokusuar në Formula 1: “Nuk do të mund të performoja më të mirën nëse do të kisha fëmijë. Do të ketë një kohë për këtë dhe mezi pres që të vijë. Por tani ka punë për të bërë”. Dhe kjo punë do të quhet Ferrari nga viti 2025:

“Jam në formë të shkëlqyer, fizikisht dhe mendërisht. Kohët e mia të reagimit janë edhe më të shpejta se djemtë më të rinj dhe mendoj se jam një pilot më i mirë sesa kur isha 22 vjeç”. Mesazh i fortë dhe i qartë nga Hamilton, që duket i uritur dhe i karikuar për sfidat e reja në Formulën 1.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"