Hasaj: Te Vora erdha për të lënë shenjat e mia në futboll, sezonin tjetër luajmë në Superiore
Vora ka njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me Dijar Nikqin. Aventura e ish-sulmuesit të Tiranës zgjati vetëm 5 muaj te Vora. 20-vjeçari dha kontributin e tij te Vora në tetë sfida dhe ka qenë vetë klubi që përmes një njoftimi ka zyrtarizuar divorcin mes palëve.
Vora ka lënë mënjanë Kupën për t’u angazhuar te ngjitja në Superiore. Një nga futbollistët e afruar te vorakët në merkaton e dimrit është 23-vjeçari Françesko Hasaj, i cili erdhi nga Kukësi. Për “Panorama Sport” ai tregon arsyen pse pranoi të vishte fanellën e Vorës.
Para se të vinit nga Kukësi te Vora, a kishit oferta të tjera?
Vora është rritur shumë në dy vitet e fundit dhe është një nga pretendentet kryesore të Kategorisë së Parë për t’u ngjitur në elitë. Kam pasur oferta si brenda vendit dhe nga Kosova, por për disa arsye u binda të vij te Vora. Së pari, klubi ka një projekt madhor dhe afatgjatë për t’u ngjitur në elitë. Së dyti, afërsia me shtëpinë dhe disa prej shokëve që kam në këtë skuadër, por edhe korrektësia që ka ky klub në marrëdhëniet mes drejtuesve dhe lojtarëve. E kush nuk është i lumtur, të kesh një trajner si Arian Bellai.
Jeni aktivizuar ndaj Kastriotit në kampionat dhe Skënderbeut në Kupë. Çfarë keni vënë re te skuadra e Vorës në aspektin e lojës?
Në radhë të parë, është një ekip shumë i mirë dhe i organizuar dhe vepron me mentalitet fituesi. Të gjithë përkushtohen dhe të japin mundësitë të shprehësh virtytet gjatë lojës. Kjo më bind më shumë se kam ardhur në një klub të madh, jo nga emri, por nga veprimi dhe sjellja e tij në lojë, ku mbetet primare mentaliteti i fituesit.
Keni luajtur në dy kampionate të ndryshme, në Superiores dhe në Kategorinë e Parë. Çfarë ndryshimi ka mes tyre?
Kam luajtur me Kukësin në Superiore, por edhe në të Parën këtë sezon. Ndryshim përbëjnë vetëm nivelet e kampionateve, ndërsa skuadrat funksionojnë thuajse njëlloj. Madje, Kategoria e Parë ka shumë emra skuadrash elitare, si Flamurtari, Besa, Kastrioti, Korabi, Burreli, Apolonia, Lushnja, duke përfaqësuar qytete të mëdha dhe kjo e bën akoma më tërheqës këtë kategori. E veçantë është konkurrenca për elitën, ku të paktën tri skuadra janë pretendentet kryesore. Ndeshjet janë spektakël, se luhet futboll me përkushtim dhe motivim.
Si pjesë e Vorës, çfarë i premton Hasaj klubit të ri?
Jam i kënaqur nga pritshmëritë që drejtuesit dhe lojtarët e grupit kanë për mua. Kjo më motivon për të dhënë më shumë. Te Vora erdha për të lënë shenjat e mia në futboll dhe kjo është mundësia ime më e mirë. Me bindje Vora do të jetë pjesë e elitës sezonin e ri dhe kjo më motivon më shumë. Tani mbetet që unë të bëj më të mirën për klubin ku kam ardhur.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"