Hebeja: Apolonia ka objektiv ndeshjen e radhës, ia dalim ndaj Vorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2024 | 15:30

Hebeja: Apolonia ka objektiv ndeshjen e radhës, ia dalim ndaj Vorës

Apolonia është gati për ndeshjen e parë të kampionatit, që do të luhet sot në orën 17:00 në transfertë kundër Vorës. Mesfushori Rubin Hebeja, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” ka analizuar situatën në kampin fierak, nga faza përgatitore e deri te ndeshja e sotme kundër Vorës.hebeja“Apolonia është gati, ku kemi lënë pas fazën e mirëfilltë përgatitore, e cila shkoi më së miri. Kemi bërë një punë shumë të mirë dhe i gjithë ekipi ka reaguar mjaft mirë, veçanërisht në ndeshjet miqësore. Përtej rezultateve, kemi marrë përgjigje të mira në lojë. Ndeshjet e para janë shumë të rëndësishme, për moralin e psikologjinë e skuadrës. Prandaj, do të bëjmë gjithçka për t’ia dalë mbanë dhe për ta nisur sa më mirë sezonin e ri. Vlerësimi do të jetë maksimal dhe nuk bëjmë kurrsesi diferenca në vlerësim ndaj ekipeve apo fazave që luajmë, por mundohemi të kemi impenjim maksimal.

Të njëjtën gjë do të bëjmë nga ndeshjen e parë deri tek e fundit. Vora është një skuadër e fortë, mos harrojmë sezonin e kaluar ishte pjesë e ‘play off’-it dhe ndër pretendentet kryesore për Superiore. Është një transfertë e vështirë, por ne jemi të përgatitur për të bërë më të mirën. Në futboll janë tri rezultate, ndaj më mirë t’ia lëmë fushës. Asnjëherë nuk mund të flasësh me siguri, por objektivi i Apolonisë është që të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Objektivi i sezonit të ri mbetet i njëjti: ndeshja e radhës. Do të mundohemi të marrim maksimumin në ndeshjen e parë dhe të jemi të përqendruar. Ekipi ka fituar më shumë besim nga sezoni i kaluar dhe do të mundohemi ta kthejmë në forcë për të treguar gjithë potencialin tonë”.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"