Hebeja: Apolonia tregon veten, as barazimi nuk na kënaq në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2024 | 11:32

Hebeja: Apolonia tregon veten, as barazimi nuk na kënaq në Vlorë

Apolonia kërkon rikthimin te rezultatet pozitive, ku të dielën luajnë ndaj Flamurtarit në Vlorë.hebejaFierakët, pas humbjes me Lushnjën në “Loni Papuçiu”, duan maksimumin. Këtë e pohon edhe mesfushori Rubin Hebeja në një intervistë për “Panorama Sport”. Ai pohon, se e kanë lënë pas humbjen me Lushnjën dhe në Vlorë shkojnë për të marrë fitoren. Hebeja tregon gjendjen e ekipit, dhe thekson se ekipi ka cilësi dhe mund të luftojë fort për trepikëshin kundër Flamurtarit.

Humbja e ka kthyer Apolonin në realitet. Si është situata në ekip?

Vijmë nga një humbje në shtëpi dhe nuk jemi në momentin tonë më të mirë psikologjik. Sidoqoftë, nuk e kemi humbur përqendrimin për sfidat e tjera. Me punë të përditshme dhe forcën e grupit që na karakterizon, do e lëmë pas këtë moment të vështirë. Kemi analizuar ndeshjen e fundit dhe duhet të përmirësohemi në shumë aspekte. Humbjet shërbejnë për të kuptuar gabimet dhe se si do të sillesh në ndeshjen tjetër.

Katër pikë në 4 javë, a janë pak për Apoloninë?

Janë shumë pak dhe janë mishërim i momentit të vështirë që po kalojmë. Nëse shohim raportin e pikëve të marra dhe lojës së zhvilluar, duhet të kishim bilanc tjetër. Jo për t’u justifikuar, por kemi merituar më shumë me lojën që kemi zhvilluar. Na mungojnë pikët e duhura, ndaj duhet rritur përqendrimi dhe të bëmë një ndeshje të madhe në Vlorë.

Sa e vështirë do të jetë përballja kundër Flamurtarit?

Luajmë një ndeshje shumë të vështirë në transfertë, përballë një kundërshtari të fortë, të investuar mirë dhe pretendent kryesor për t’u ngjitur në elitë. I kemi dhënë rëndësinë dhe vlerësimin e duhur, sepse është nga ato takime ku duhet të tregojmë se kemi cilësi dhe bëjmë mirë në të dyja fazat e lojës. Me Flamurtarin e kemi treguar në çdo ndeshje, në Fier dhe në Vlorë, ku kemi luajtur fort.

Si shkon Apolonia në këtë transfertë?

Jemi me organikë të plotë, pasi edhe Maksuti është bashkuar me grupin. Kemi motivimin e duhur dhe mendoj se ekipi do të shprehet shumë mirë në fushë, ku do të hyjmë duke menduar vetëm për veten dhe objektivat e klubit tonë.

Cili është objektivi për takimin që luani në Vlorë?

Objektivi i vetëm në Vlorë dhe në çdo ndeshje tjetër, janë tri pikët. Shkojmë gjithmonë tek objektivi maksimal, nuk ka rëndësi fusha ku luajmë. Ne do të japim maksimumin si gjithmonë, pastaj është fusha që do të tregojë se kush është më i miri.

Një barazim në këtë transfertë të vështirë dhe ndaj një pretendenti kryesor për t’u ngjitur në elitë, do të ishte mirë për ju?

Jo, barazimi nuk është rezultati që duam. Ne jemi Apolonia dhe në çdo ndeshje do të hyjmë për të dhënë e marrë maksimumin. Kjo është ajo që ne duam gjithmonë. Ekipi ka cilësi dhe jam i bindur që do të luftojë fort për fitoren kundër Flamurtarit.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"