Herri Kejn: Gati të shpërthej, Kompani nuk ngopet me gola te Bajerni
Herri Kejn është optimist për sezonin e ri pas muajve të vështirë. Ai gjeti rrugën e rrjetës që në ndeshjen e parë në edicionin 2024-2025, duke shënuar në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë, (Ulm-Bajern Mynih 0-4).
Sulmuesi i Bajernit luftoi me problemet e shpinës në fund të edicionit të kaluar, gjë që e preku edhe në Kampionatin Europian në radhët e kombëtares angleze, ndërsa tani ai duket se është plotësisht i rikuperuar.
BOMBERI – “Ndihem mirë, trupi po më përgjigjet pozitivisht dhe nuk kam dhimbje. Për mua tani ka të bëjë me kthimin në nivelin optimal të fitnesit. Dita-ditës po arrijë formën e përshtatshme, i bindur se shumë shpejtë kam për të kapur ritmin e plotë”, tha i entuziazmuar Herri Kejn.
MARRËDHËNIA ME VINSENT KOMPANI – Kejn komentoi edhe punën me trajnerin e ri. Sulmuesi vlerësoi filozofinë e tij të lojës dhe mezi pret sezonin e ri: “Ai sjell energji të mirë. Dëshiron të luajë me shumë posedim të topit dhe presion të lartë, sikurse të shënojmë shumë gola”, tha sulmuesi. Herri ka besim se skuadra do të zbatojë shpejt idetë e trajnerit dhe mund të vazhdojë të rritet ndërsa cikli përparon.
KRITIKA NGA ANGLIA – Gjatë dhe pas Kampionatit Europian, sulmuesi u përball me kritika të mëdha prej Anglisë, pavarësisht paraqitjeve të mira për Bajernin. Edhe pse kombëtarja angleze arriti në finale dhe Herri Kejn ishte golashënuesi më i mirë, kishte shumë zëra kritikë nga vendi i tij. “The Guardian” shkroi:
“Ky nuk është Kejn që ne njohim. Ai është i palëvizshëm dhe nuk mund të zhvillohet lirshëm.” Vetë bomberi ishullor është i vendosur t’u tregojë kritikëve se e kanë gabim dhe më në fund të fitojë titullin e tij të parë të rëndësishëm me klubin bavarez. Goleadori 31-vjeçar duket i gatshëm për të arritur objektivat e tij me rekordmenët e Gjermanisë.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"