Historia e jashtëzakonshme, klubi që lindi nga ushtarakët. Orikumi realizoi një ëndërr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2018 | 22:44

Historia e jashtëzakonshme, klubi që lindi nga ushtarakët. Orikumi realizoi një ëndërr

Me rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë dhe spostimin e skuadrës Vllaznia B drejt Kategorisë së Dytë, për skuadrën e Orikumit erdhi momenti për pjesëmarrjen në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Një objektiv ky i realizuar kështu për skuadrën e trevës së Dukatit në Vlorë, por i kërkuar fort nga ana e tyre me ndeshjet e zhvilluara për dy sezonet e fundit në sfidat finale të “Play-Out”-it.

Gjithsesi, rregulli e kërkon që Orikumi i renditur i dyti në Grupin e Jugut, edhe pse humbi(4-3 me penallti) atë ndeshje finale të “Play-Out”-it ndaj Vllaznisë B, të fitojë të drejtën të jetë sezonin e ardhshëm në sofrën e ekipeve të Kategorisë së Parë. Natyrshëm, drejtuesit, sponsorët, trajnerët, futbollistët dhe tifozët e trevës Orikum-Dukat-Tragjas e Rradhimë, t’i gëzohen këtij suksesi të skuadrës së tyre me emër sinjifikativ “Oriku”, që e thënë qartë është emri simbol i njërit nga të paktët qytete ilire të shekullit V-VI përpara Krishtit.

orikumi

SKUADRA – I vendosur në “podin” e vlerësimit në këtë sukses, kanë pjesën e tyre trajnerët Sakaj, Haxhiaj e Rama, futbollistët Muho, Hoxhaj, Gjino, Azizaj, Metaj, Xhelili, Nurçe, Livanaj, Çaushaj, Kongjoni, Dhrami, Rapaj, Qejvani, Gjipali, Lloji, Capo e të tjerë. Larg kësaj nuk mbeten edhe administratori i klubit, Gëzim Çapoj, anëtarët e bordit, Muharrem Jazo, Arsen Beloj dhe Agim Begotare,; si dhe sponsorët Muharrem Jazo, Gëzim Çapoj, Teki Xhemali, Palton Shabani, Vaso Llaguri e Bebi Selmanaj.

Një sukses për Orikumin që ka pranë edhe tifozërinë e saj të zjarrtë dhe tepër simpatike. Duke kërkuar të ilustrojmë diçka më tepër për paraqitjen e Orikumit në sezonin e kaluar si pjesë e skuadrave të Grupit të Jugut për Kategorinë e Dytë, rezulton se në 22 ndeshjet e zhvilluara ka bilancin me 18 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, me golavarazhin 61-16. Tregues bindës për ecurinë e mirë të kësaj skuadre modeste, por që luan futboll me dëshirë dhe objektiv të qartë në fushën e lojës. Edhe diçka tjetër. Në pjesëmarrjen e Orikumit në gjashtë sezone rresht (një vit në Kategorinë e Tretë dhe pesë në Kategorinë e Dytë), kjo skuadër ka shënuar plot 225 gola dhe ka pësuar vetëm 106. Një fakt i tillë përbën konsideratë për futbollin e luajtur.

INFRASTRUKTURA – Këto ditë, drejtuesit dhe sponsorët e Orikumit kanë nisur të mendojnë dhe të fillojnë nga puna për ndryshimin e pamjes dhe përshtatjen sipas kushteve të stadiumit ku zhvillojnë ndeshjet në qytetin e Orikumit. Kështu, bëhet fjalë që tribunat të zgjerohen dhe të kenë mbi 1000 vende të ulura, të ketë tribunë shtypi, si dhe ndryshime të tjera të domosdoshme me synimin e vetëm që ndeshjet të zhvillohen në qytetin e tyre. Por, jo vetëm kaq. Drejtuesit shprehen se skuadra do të nisë përgatitjet për sezonin e ardhshëm, ku nuk do mungojnë surprizat me afrime të reja kryesisht futbollistë vlonjatë. Klubi Orikumit ka në strukturën e vet edhe ekipet e moshave U-17, U-11 dhe U-9 vjeç ku trajnerët Albert Haxhiaj dhe Bledi Bozhani përgatisin brezat e ardhshëm të futbollistëve. Dhe kjo është dukuri që duhet përshëndetur sepse ekipet e moshave marrin pjesë në kampionatet rajonale.

HISTORIA – Pas kësaj ekspozeje, me të drejtë lind pyetja: si ka lindur ky ekip futbolli që sot me drejtë mund të quhet dhe surpriza e gjeografisë sportive të futbollit tonë? Të dhënat thonë se ky klub është krijuar në verën e vitit 1955, kur disa nga djemtë e kësaj zone, ushtarë të flotës detare dhe disa specialistë rusë të bazës ushtarake të Pashalimanit, vendosën të krijojnë një skuadër futbolli me emrin “Oriku”, që mori pjesë në një turne futbolli të atij viti të zhvilluar midis reparteve ushtarake të vendit.

Ai emër klubi u harrua për shumë vite, sepse dikujt atje lart në ish-Komitetin e Sportit nuk i pëlqente që skuadra e futbollit e këtij “fshati” të merrte pjesë në Kategorinë e Tretë. Por, djemtë e zonës futbolldashëse Orikum-Dukat-Tragjas e Rradhimë, duke u aktivizuar me skuadrat e Uzinës së Pashalimanit dhe ish-N.B.Rinisë në kampionatet lokale të asaj kohe, tregonin se dëshira për luajtur futboll ishte e madhe dhe me vlera. Në vitin 1962, skuadra e Partizanit ka zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën e kësaj zone në fushën e një reparti ushtarak. Më mirë se kushdo, këtë fakt e dinë njerëzit e kësaj zone që e duan dhe vlerësojnë sportin. Një skuadër emrash sportistësh me orgjinë nga kjo zonë që kanë kontribuar fort në vite dhe dekada për Flamurtarin dhe sportin tonë kombëtar si, Merko Vagjeli, Elmaz Gjipali, Merko Berdo, Meno Gjoleka, Iljaz Gjoleka, Faik Bejo, Gëzim Troqe, Fatmir Hysomema, Albert Hoxha, Sokol Kushta, Anesti Vito, Ardi Bozhani, Arbër Abilaliaj në futboll, Skerdilajd Shyti e Veni Bode në not dhe Luan Selmani në radio-amatorizëm.

Por, kjo traditë e mirë dhe kjo dëshirë që qëndronte ndezur do bëhej realitet i prekshëm në majin e vitit 2013, kur ish-kryebashkiaku i Orikumit, (sot administratori i klubit), i palodhuri Gëzim Çapoj, së bashku me trajnerin Albert Haxhiaj me atë grup djemsh të talentuar, në ndeshjet kualifikuese të Kategorisë së Tretë fituan të drejtën që skuadra e tyre të ishte pjesë në sezonin 2013-2014 në Grupin e Jugut të Kategorisë Dytë. Dhe pas plotë pesë sezoneve, Orikumi është ngjitur një shkallë më lart, sepse tani është pjesë e skuadrave të Kategorisë së Parë. Një sukses ky i një skuadre të qytetit të vogël që këto vite po shkruan bukur historinë e saj në futboll. Tani jo vetëm vlonjatët, por edhe vizitorët e turistët e shumtë nuk do shkojnë në Orikum në portat e rivierës shqiptare për shijuar ditët e pushimeve të verës, por edhe për të ndjekur e përkrahur Orikumin.

Moisi Dalipi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"