Historia e titullit në kohën e pandemisë/ Si e fitoi Tirana kampionatin e 25-të në histori…
Tirana e ka merituar titullin e 25-të, sepse ka bërë një nga kampionatet më të çmendura të saj. Nuk grumbulloi 84 pikë si në 2004-ën e largët, por ndryshe nga Tirana e kohës së Devi Mukës, e cila arratisjen e bënte që në fillim të kampionatit, ajo Tiranë ia doli të përmbyste një kampionat që në një moment e shihte në zonën e “play out”-it. Katër janë momentet më të rëndësishme të atij sezoni futbollistik.
MERKATOJA – Ka qenë një verë e madhe për bardheblutë ajo e 2019-ës. Ardian Mema dhe Refik Halili kthyen përmbys tregun dhe ribënë skuadrën. Që në korrik u ndërtua një ekip fitues, me lojtarë shumë të mirë: Batha, Osmani, Kale, Torasa, Vangjeli e ndonjë tjetër. Më pas faza përgatitore në Ohër, që kompletoi ekipin falë punës së trajnerëve të skuadrës.
DERBI – Entuziazmi i skuadrës së fortë dhe pretendente u shua shpejt, edhe pse në krye Tirana para derbit të dytë me Partizanin, kishte humbur sfidën e parë me të kuqtë, me Kukësin dy herë, dhe ishte në zonën e “play-out”-it. Halili shkarkon Ardian Memën dhe beniaminin Julian Ahmataj. Para derbit të dytë, Tirana është pa trajner dhe drejtuesit i luten Emanuel Egbosë.
Është dhjetor dhe trajneri i portierëve pranon. Bashkon për 90 minuta ekipin dhe në natën e parë të “Air Albania”-s fiton derbin. Nga ajo ditë, Tirana nis udhëtimin e saj drejt një serie të parezistueshme fitoresh që ndalet vetëm pas pandemisë me një humbje në Durrës.
KUKËSI – Edhe pse Tirana mori marshet e larta drejt udhëtimit të titullit, për të qenë në krye, duhet të kalonte nga një sfidë direkte me Kukësin. Ajo skuadër që fitonte fundoste tjetrën. Dhe Tirana ia doli me Bathën e Torasën që në sfidën me vendin e parë, të merrte kreun, duke mundur verilindorët 2-1. Goditje e madhe e bardhebluve që pas asaj dite nisën sundimin në krye të Superiores. Sundim që nuk e lëshuan derisa skuadra u shpall matematikisht kampione e Shqipërisë.
PANDEMIA – Edhe pse fitoi, Tirana bëri atë që nuk e bënë skuadrat e tjera. U stërvit fshehtas mes “COVID”-it. Lojtarët nuk e lanë përgatitjen dhe me rinisjen e kampionatit, skuadra marshonte me 100 në orë. Një udhëtim i jashtëzakonshëm, që u kurorëzua nga Vllaznia e madhe, e cila me fitoren ndaj Kukësit, në njëfarë mënyre lau edhe rënien nga kategoria të bardhebluve tri vite më parë…
PANORAMASPORT.AL