Humbja e finales me Spanjën, Belingam: Në Angli më fajësuan për Europianin
Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka zgjedhur një anglez për ta shoqëruar në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Liverpulit. Krah tij ka qenë Xhud Bellingam. E me çfarë duket, anglezi mezi e ka pritur këtë fakt për t’u kapur me mediat në ishull, duke i akuzuar ato se e kanë bërë fajtor për humbjen në finalen e “Euro 2024”-s kundër Spanjës.
Natyrisht që Bellingam foli dhe për ndeshjen kundër “The reds” si dhe të qenit pjesë e Realit të Madridit. “Liverpuli ka qenë shumë pranë meje, është e vërtetë, por kur të thërret një klub si Reali… Reali është një nivel tjetër. Unë e quaj veten me fat që jam pjesë e Realit të Madridit”, tha ai.
Duke folur për ndeshjen, Bellingam ka thënë: “Janë në krye të renditjes në Premier, janë të parët në Ligën e Kampioneve. Janë rritur ndjeshëm në nivelin e tyre, ndaj do të jetë një test serioz për ne”. Anglezi ka folur dhe për kthimin në ishull, aty ku nuk ka pasur shumë marrëdhënie të mira, veçanërisht me mediat.
“Unë mendoj se kam qenë në një formë pozitive, thjesht më mungonte goli. Ata (mediat) nuk më kanë trajtuar mirë. Madje hodhën mbi mua fajin e humbjes në finalen e Europianit. Në grumbullimin e fundit me kombëtaren gjithçka shkoi mirë”, theksoi Bellingam.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"