Humbja ndaj Korabit, trajneri Mërgjyshi: Ndikoi viroza, nuk jemi ende aty ku duhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2024 | 22:30

Humbja ndaj Korabit, trajneri Mërgjyshi: Ndikoi viroza, nuk jemi ende aty ku duhet

Apolonia po stërvitet në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, ku po vazhdon çdo ditë fazën e mirëfilltë përgatitore. Është një periudhë tepër e rëndësishme për skuadrën dhe trajnerin Mërgjyshi, pasi gjatë këtyre ditëve dhe javëve të mbetura do të shihet se cilët do të jenë “besnikët” ose ndryshe titullarët fierakë.

mergjyshi

Mundësia më e mirë për të provuar skemat e reja dhe për të parë lojtarë të caktuar janë ndeshjet miqësore dhe deri më tani fierakët kanë luajtur 3 të tilla. Në program është edhe një ose dy ndeshje të tjera testuese gjatë fazës përgatitore, por për momentin nuk është mësuar ende se cilët do të jenë ekipet kundërshtare të Apolonisë. Ndërkohë, pas miqësores së fundit, ku fierakët humbën 3-1 kundër Korabit, trajneri Artan Mërgjyshi për “Panorama Sport”, deklaroi:

“Jemi në kulmin e fazës përgatitore dhe skuadra ende nuk është në kondicionin e duhur. Jemi në një periudhë ku lojtarët po marrin ngarkesat e nevojshme. Në miqësoren me Korabin na u prishën pak balancat, pasi patëm disa lojtarë që nuk ishin në dispozicion për shkak të një viroze që përfshiu skuadrën gjatë javës. Pësuam gol që në fillim dhe vetëm pas 20 minutave të para skuadra zhvilloi lojën që dëshironim. Rezultati nuk është se na intereson shumë, por gjithsesi kjo miqësore na shërbeu për të nxjerrë disa mangësi dhe mësime për në vazhdim”.

Edhe pse nuk mund të thuhet se ndeshjet miqësore janë një test gjeneral për të parë gjendjen reale të skuadrës, sërish tregojnë se deri ku ajo ka shkuar me përgatitjet. Deri më tani fierakët kanë një bilanc shumë negativ sa u përket miqësoreve, ku nga 3 ndeshje të luajtura kanë humbur po 3. Ende nuk e kanë njohur shijen e fitores dhe nëse do të vijohet me këtë ritëm deri në startin e kampionatit, mund të thuhet se do të jetë një stimul i keq në aspektin moral.

Në dy ndeshjet e para fierakët u mundën nga Bylisi 2- 1 dhe Tirana, po 2-1. Së fundmi, Apolonia është mundur pastër nga Korabi i Kategorisë së Parë, 3-1. Skuadra e trajnerit Mërgjyshi ka pësuar 7 gola dhe ka shënuar vetëm 3 gola.

H.SALIU/ SH. HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"