E trishtë/ Shuhet legjenda e volejbollit shqiptar, Vangjel Koja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2024 | 9:46

E trishtë/ Shuhet legjenda e volejbollit shqiptar, Vangjel Koja

Shuhet në moshën 91-vjeçare legjenda e volejbollit shqiptar Vangjel Koja, thënë ndryshe “babai” i sportit të rrjetës. 

auto_vangjel1727678260

Homazhet do të mbahen këtë në hënë në Kishën e Shën Sotirit në Korçë.

Karriera e tij nisi si atlet më pas si basketbollist, volejbollist dhe duke përfunduar më pas si trajner i skuadrës së famshme, Dinamo në volejboll për meshkuj, duke qenë jo vetëm fitues titujsh kampion, por duke lënë gjurmë të pashlyeshme në përfaqësimet evropiane.

Vangjel Koja e kishte nisur sportin në vitin 1947, kur në moshën 14 vjeçare ishte shpallur kampion me të rinjtë e ekipit të Tiranës në katër gara: hedhje shtize, kërcim së gjati dhe në vrapimet në distancat 800 e 400 metra.
“E kam filluar me atletikën, 400m, 800m, kërcim së gjati, trehapësh. Kam marrë pjesë pesëgarësh. Për trajnerin isha si ajo lotaria, kur i duhej fitorja në kampionatin e atletikës, apo kërcim së gjati, më fuste mua. Gara ime personale ka qenë kërcim së gjati”, – tregonte Xhela.
Në vitin 1956, një direktivë e ardhur nga lart, i detyroi sportistët që të specializoheshin në një lloj sporti. Vangjeli zgjodhi volejbollin. Dhe bëri zgjedhjen e duhur. Fitoi tituj pa fund, u shndërrua në një idhull për volejbollistët e djeshëm dhe të sotëm. Koja u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”, titull i dhënë nga Presidenti i vendit në dhjetor 2003 dhe laureuar gjithashtu me tre urdhra “Naim Frashëri” të kategorive 1,2 dhe 3, ai mbante edhe titullin “Mësues i Popullit”.
Në kohën që ai ishte drejtues i Dinamos, ekipi ka fituar 17 kupa republike dhe 23 tituj kampionësh, nga viti 1965 deri në vitin 1990, u nderua nga televizioni “TeleSport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin prestigjioz “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”.
Në vitin 2024, Vangjel Koja u nderua nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Z. Erlind Pëllumbi me titullin ” Nderi i Volejbollit Shqiptar”.
VANGJEL KOJA (1933 – 2024)
● “Nderi i Kombit”
● “Mjeshtër i Merituar i Sportit”
● “Nderi i Volejbollit Shqiptar”
● “Nderi i Sportit Shqiptar”
● Dekoruar me “Naim Frashëri” I, II, III
● Diplomuar në A.E.F.S “Vojo Kushi”
(Sot, Universiteti i Sporteve)
● 1955-1990, trajner i Dinamos, volejboll meshkuj
● 1965-1990, trajner i ekipi Kombëtar të volejbollit për meshkuj
● 23 herë kampion më Dinamon,
● 17 herë fitues i Kupës së Republikës
● 50 herë fitues i kupave të ndryshme jubilare
● 2 herë fitues i Spartakiadave Kombëtare
● 100 ndeshje ndërkombëtare me Dinamon dhe ekipin Kombëtar
● Vendi i katërt midis skuadrave kampione të Europës në volejboll për meshkuj në vitin 1972
Redaksia e “Panorama Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Koja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"