I dha trepikëshin Vorës në Shijak, Geci: Ja rruga jonë për ngjitjen në Superiore
Pas fitores në Shijak, te Vora mbizotëron qetësia dhe të gjithë janë “sy e veshë” nga sfida e sotme Besa–Flamurtari, ku padyshim presin ndonjë “dhuratë” nga kavajasit, në mënyrë që ta mbyllin të parët fazën e parë. Ndaj Erzenit të besuarit e trajnerit Arian Bellai morën fitoren e 9-të sezonale.
Jo më kot Vora kryeson renditjen e Kategorisë së Parë. Kjo është parë qartë në fushën e lojës, ku ekipi ka qenë triumfues në plot 9 takime, duke lënë vetëm 4 pikë gjatë kësaj faze të parë. Goli i Segerso Gecit rezultoi me vlerën e tri pikëve në Shijak dhe e nxori Vorën në krye të tabelës. “Është një gol që i dedikohet prindërve të mi. Më gëzoi për arsyen se vlera e tij ishte me tri pikë. Ne si lojtarë kemi punuar dhe jemi munduar që Vora të arrijë synimet dhe objektivat e caktuar nga stafi drejtues. Mendoj se jemi brenda objektivave tona dhe se ngjitja jonë direkt në Superiore do të jetë e padiskutueshme”, shprehet fillimisht sulmuesi 23-vjeçar i Vorës, Segerso Geci.
Lidhur me pyetjen se a pret ndonjë dhuratë nga ndeshja e sotme, për “Panorama Sport” Geci u përgjigj: “Ne nuk kërkojmë as dhurata dhe as lëmoshë. Kemi parë gjithmonë punën tonë dhe shikojmë vetëm përpara. Nuk na interesojnë të tjerët. Nëse do të përqendrohemi vetëm në ndeshjet tona, atëherë skuadra është në rregull. Nëse do të vërejmë se si del kjo apo ajo ndeshje, ne kurrë nuk do të arrijmë qëllimet tona”.
ABDULLA DUSHKU -PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"