I dha tri pikë Burrelit kundër Lushnjes, mbrojtësi Muriel: Fitore morali, duhet të ishim më lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2024 | 23:59

I dha tri pikë Burrelit kundër Lushnjes, mbrojtësi Muriel: Fitore morali, duhet të ishim më lart

Me fitoren e arritur ndaj Lushnjës, me rezultatin minimal 1-0, skuadra matjane regjistron fitoren e tretë në kampionat dhe të dytën para sportdashësve të vet. Fitorja e së shtunës pati një të veçantë, pasi erdhi nga goli i qendërmbrojtësit Muriel, që i dhënë skuadrës së tij një trepikësh me vlerë.

muriel umeijego

Burreli i trajnerit Bicaj pas 6 javësh mban  vendin e katërt me 11 pikë. “Jam i lumtur që skuadra arriti të fitoj ndaj një rivali si Lushnja. Gjithashtu, më vjen mirë që goli im rezultoi ai i fitores, duke marrë tri pikë të rëndësishme për ecurinë e kampionatit. Skuadra po funksionon shumë mirë dhe këtë po e tregojmë me lojërat e mira, që po zhvillojmë si në fushën tonë ashtu dhe në  transferta”, u shprehet fillimisht për “Panorama Sport”, braziliani Muriel. Ky është goli i dytë i 25-vjeçarit me skuadrën matjen në dy sezone që ai kontribuon për Burrelin. Golin e parë e ka shënuar vjet në një ndeshje të Kupës së Shqipërisë ndaj Valbonës. Në vijim të prononcimit të tij, mbrojtësi pohon se me pak kujdes skuadra duhet të kishte më shumë pikë.

Në barazimin me Valbonën në fushën e vet dhe me Korabin në transfertë, sipas tij, Burreli duhet të kishte marrë pikët e plota. “Pozicionimi aktual në renditje është i duhuri, por skuadra duhet të kishte grumbulluar më shumë pikë. Barazimi në fushën tonë ndaj Valbonës dhe në ndeshjen ndaj Korabit janë të pa falshme. Gjithsesi, le të na shërbejnë si pika reflektimi për të na motivuar në ndeshjet që kemi në vazhdim”, mbylli komentin e tij mbrojtësi Muriel Rodriguez, që prej dy sezonesh mbron ngjyrat e skuadrës matjane. Pas ndeshjes me Lushnjën, kalendari i rezervon Burrelit dy ndeshje të vështira në transfertë. Këtë javë, matjanët do të jetë mysafir në Kavajë, ku do të përballen ndaj Besës kryesuese dhe më pas në “Loni Papuçiu” do të ndeshen me Apoloninë.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"