I pezulluar nga kartonët, Korreshi: Lushnja ka ekip solid, e sfidon Vorën edhe me 3 mungesa
Katër javë para përfundimit të fazës së dytë, lushnjarët ndodhen në vendin e gjashtë me 24 pikë, pozicion që verdhezinjtë duan ta ruajnë deri në zbardhjen e kalendarit të fazës së tretë. Këtë javë, ata do të presin kryesuesit e Vorës në stadiumin “Roza Haxhiu”, një ndeshje që pritet të ketë shumë atmosferë.
Skuadra e drejtuar nga Erion Xhafa ka vijuar normalisht me përgatitjet, duke synuar të jap më të mirën. Verdhejeshilët do të kenë disa mungesa për këtë takim, ku të konfirmuar janë skualifikimet e mbrojtësit lushnjar Marjus Korreshi dhe mesfushorit francez Fouseny Kamisoko. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, mbrojtësi Korreshi tha se ekipi do të luftojnë për fitoren edhe pa atë, duke dhënë më të mirën. “Ekipi po merr ngarkesat e duhura dhe atmosfera është shumë mirë. Për ne është ndeshja e radhës në kampionat.
Vijmë pas fitores në transfertë me Erzenin dhe duhet të vazhdojmë me rezultate pozitive. Për këtë javë nuk do të jemi të plotë në organikë. Fadil Meta është në gjendje gripale. Unë dhe Kamisoko jemi të skualifikuar sepse kemi plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Na pret një ndeshje e fortë me kryesuesen e kampionatit, Vorën që ka një ekip solid dhe një organikë të mirë lojtarësh. I vlerësojmë për atë çfarë kanë bërë deri tani, por Lushnja do të luftojë gjithmonë për fitore, objektiv me të cilin jemi futur në çdo ndeshje”, deklaroi për gazetën qendërmbrojtësi i Lushnjës Marjus Korreshi.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"