Ideal Lekiqi nuk del nga roli: Qarri, pika e fortë e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2024 | 23:45

Ideal Lekiqi nuk del nga roli: Qarri, pika e fortë e Vllaznisë

Ecuria e Vllaznisë këtë sezon, por edhe ndeshja e radhës kundër Laçit kanë zënë vëmendjen e trajnerit të portierëve te kuqeblutë, Ideal Lekiqi.

LEKIQI

Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shprehet se shkodranët kanë zhvilluar një grumbull ndeshjesh pozitive deri më tani. Po ashtu ai ndalet edhe te ndeshja e fundjavës kundër Laçit dhe performanca e portierit, Kristi Qarrit.

Mund të kishte marrë Vllaznia më shumë pikë në këto dy ndeshjet e fundit? Sidomos atë kundër Elbasanit…

E rëndësishme është që skuadra ka luajtur mirë dhe ka bindur me performancën e saj. Kundër Elbasanit e dinim që do të kishim një ndeshje të fortë, ndaj një skuadre që pavarësisht se vjen nga Kategoria e Parë ka ekip cilësor dhe me ambicie këtë edicion.

Ashtu siç u zhvillua ndeshja, ne kishim disa mundësi për ta fituar atë. Fati është një komponent shumë i rëndësishëm në futboll dhe ndoshta kësaj here nuk ishte në krahun tonë. Megjithatë, preferoj ta shoh gotën gjysmë plot, sepse morëm një ekip kundër një ekipi dhe pretendenti serioz si Elbasani.

Lekiqi, si paraqitet gjendja në prag të ndeshjes së radhës kundër Laçit?

Situata ka qenë pozitive, ekipi po kalon një gjendje të mirë dhe atmosfera është ajo e duhura. Pavarësisht se ndoshta mund të na shoqërojnë disa dëmtime dhe penalizime kartonësh siç janë Gurishta dhe Stojanoviç. Çoba dhe Matouti kanë dëmtime dhe po ashtu Gruda dhe Kahrimanoviç janë ende duke u rikuperuar në 100%.

Cili prej tyre mund të jetë i gatshëm për të shtunën?

Them se Gruda mund të jetë gati, por atë duhet marrë “OK” përfundimtar i stafit mjekësor. Ai është stërvitur me ritëm të plotë me skuadrën këto ditë dhe mund të ketë minutat e tij në javët e ardhshme. Bazuar edhe në formën e tij fizike.

Çfarë ka ndryshuar kjo Vllazni e këtij sezoni?

Është pjesa e aktivizimit të futbollistëve të rinj. Ata e kanë merituar dhe kanë shfrytëzuar shansin që iu është dhënë. Kjo është një pjesë që të kënaq si tifoz dhe si shkodran, por edhe patjetër një e ardhme për skuadrën. Si në aspektin sportiv dhe atë financiar ku klubi mund të përfitojë nga shitja e tyre në të ardhmen.

Ndalemi pak edhe te Kristi Qarri, portieri i Vllaznisë. Ai të cilin e stërvitni çdo ditë. Ka pasur dyshime për nivelin e tij?

Gjithmonë do ketë komente për të gjithë ata që janë aty. Unë i kuptoj njerëzit që komentojnë, sepse futbolli dhe sporti në përgjithësi është një dritare që i lë hapësirë gjithë secilit ta shohë në këndvështrimin e tij. Ideja është që nëse skuadra luan mirë dhe ekipi, komentet duhet të jenë pak më pozitive. Kristi (Qarri) është një nga pikat e forta të skuadrës dhe një element cilësor i saj. Të paktën ashtu siç e shoh unë, por edhe nga ajo çfarë ai ka treguar.

Deri ku mund të arrijë kjo Vllazni?

Ne jemi aty, e kemi treguar se kemi zhvilluar ndoshta futbollin më cilësor në këto javë. Ndeshjet duhet t’i marrim një nga një dhe fillimisht të sigurojmë “Final 4”. Pastaj të pretendojmë për dy ndeshjet finale të edicionit. Gjithë pasqyra e sezonit dhe përpjekjet tona gjatë edicionit të rregullt duhet të shfaqen aty.

Vetëm për fitore kundër Laçit ditën e shtunë…

Laçi është një kundërshtar për t’u respektuar pavarësisht pozitës ku ndodhet. Asnjëherë nuk mund ta konsiderosh veten superior dhe që do mund ta marrësh fitoren me patjetër. Ne hymë në fushë për të zhvilluar futbollin tonë dhe Vllaznia patjetër që nuk ka frikë askënd, sepse nuk ia lejon historia. Këtë sezon ne kemi objektivat tonë madhorë e patjetër qëllimi është maksimal në çdo duel. Gjithmonë duke qëndruar me “këmbë në tokë” e duke analizuar çdo gjë në detaje.

E. ÇINARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"