“Idrizi ka të drejtë, por nuk përsëritet precedenti i para 3 viteve”. Drejtori Ferko: Flamurtari ëndërron Kupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2024 | 21:51

“Idrizi ka të drejtë, por nuk përsëritet precedenti i para 3 viteve”. Drejtori Ferko: Flamurtari ëndërron Kupën

Alfred Ferko nuk e shikon si problem barazimin me Burrelin. Drejtori sportiv dëshiron që skuadra të shkëputet sa më shpejt nga rivalët. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Ferko shprehet se është investuar që ekipi të ngjitet në Superiore.

idrizi ferko

Ai i jep të drejtë Idrizit për deklaratat dhe thotë, se Flamurtari ëndërron edhe trofeun e Kupës.

Ferko, mund të quhet dështim barazimet me Besën dhe në Burrel?

Nuk mund ta quaj dështim. Me Besën ishte një ndeshje mes dy rivalësh që synojnë ngjitjen në Superiore. Një rezultat i pranueshëm, por ne luajmë çdo ndeshje për ta fituar. Mentaliteti ynë është i tillë. Mundësitë i kishim. Në futboll pranohet edhe një barazim, por humbja nuk pranohet në momentin ku jemi. Ndeshja në Burrel ishte e luftuar deri në fund, sidomos pjesa e dytë. Ne duhet të ishim fituesit, por shpërdoruam shumë, sidomos në pjesën e dytë. Kur në lojë hyri Shkurtaj dhe Kobian, Flamurtari ndërroi marsh dhe fytyrë dhe ishim afër golit. Flamurtari vazhdon që të jetë i pari me meritë. Për zgjedhjet që janë bërë dhe ekipi që është krijuar, i ka të gjitha mundësitë që të vazhdojë këtë rrugë dhe të jetë pretendenti kryesor për Superioren.

Në ndeshjen e parë me Burrelin, Agosineli ka thënë se nuk e njeh kampionatin. Mendoni se tani trajneri italian ka krijuar njohje?

Agostineli po e njeh mirë këtë kategori. Ishte edhe meritë e tij që Flamurtari ndryshoi nga ndeshja e parë. Patëm një ecuri pozitive dhe vijon që ta ketë. E dimë shumë mirë që një pikë nuk na kënaq dhe nuk do të na kënaqë kurrë. Flamurtari hyn gjithmonë në fushë për të fituar. Grupi është i fortë edhe në krahasim me tre vitet e para që ishim 7 pikë larg. Kemi një eksperiencë të tillë dhe nuk duhet të gabojmë sërish, siç na ndodhi para tre vitesh.

A parashikoni ndërhyrje në skuadër në janar?

Nëse ka diçka që nuk shkon, apo diçka mungon, besoj se Idrizi nuk do të kursehet për të hyrë në merkaton e janarit. Pra, nëse trajneri kërkon diçka specifike. Janë gjëra që ndodhin gjithmonë në futboll. Ekipet përforcohen nëse diçka nuk shkon. Grupi është jashtëzakonisht i mirë. Një pjesë e tyre janë lojtarë të Superiores, kanë fituar trofe dhe janë të gatshëm të bëjnë gjithçka. Në shumë raste, kur ka fusha të vështira, e zgjidh kualiteti. Djemtë kanë shumë kualitet.

Idrizi shpesh është shprehur kritikë me skuadrën. Si i lexoni deklaratat e tij?

Besoj se është një realitet, ekipi duhet të jetë me “këmbë në tokë”. Pavarësisht se fitojmë dhe kemi rrugëtim të mirë, është shumë shpejt për të duartrokitur, ose për t’u gëzuar. Është kampionat i gjatë dhe kampion shpallesh në maj, jo në nëntor. Ne duam të bëjmë shkëputjen nga pretendentët tanë si Besa dhe Vora, por llogaritë bëhen në fund. Ndaj, Idrizi duke pasur parasysh atë që para tri vitesh ishim 7 pikë para dhe euforikë, tani duhet të jemi të gjithë me “këmbë në tokë”.

I druheni gjykimit në ndeshjet në vijim?

Gjyqtarët janë për të mbajtur drejt dhe nuk kemi pse të habitemi. Arbitrat janë për të gjykuar dhe për të gjykuar drejt, pasi për atë paguhen. Nuk bën kompromis Idrizi. Ai ka parimet dhe idetë e veta dhe nuk ka ndryshuar asnjë pikë nga ato që ka thënë dhe vazhdon t’i thotë gjithnjë. Ne ia kemi lënë gjithmonë ndeshjes në fushë.

A e synon Flamurtari Kupën e Shqipërisë?

Kupa është shumë e rëndësishme. Do mundohemi të shkojmë deri në fund. Askush nuk na ndalon që të ëndërrojmë. Ëndrrat në lejojnë që të mendojmë për të shkuar sa më larg.

Ju shqetësojnë dëmtimet?

Kompeticionet janë dy, kampionati dhe Kupa. Organika ka 25 lojtarë. Kemi dy 11-she dhe lojtarët mund të zëvendësojnë njëri-tjetrin.

Janë disa lojtarë që nuk janë parë në fushë ose shumë pak, do t’iu jepen minuta në Kupë?

Edhe me Devollin u aktivizuan ata që kishin pak minuta në këmbë. Ata janë lojtarë që luajnë në çdo moment dhe të nivelit me formacionin kryesor. Besoj se edhe në këto ndeshje të Kupës, trajneri këtë do të bëjë.

Rivalitet me Besën edhe në Kupë

Flamurtari vendosi një rekord në turin e parë të Kupës së Shqipërisë, arritje e cila kishte të bënte me numrin e golave të shënuar në një ndeshje zyrtare në futbollin shqiptar. Flamurtari mposhti Devollin në shifrat 15-1. Vlonjatët ëndërrojnë trofeun e Kupës, por misioni nis nga e vështirësohet nga raundi I dytë, ku më 20 nëntor presin Besën. Pra, rivaliteti sezonal me kavajasit është i dyfishtë, Kupë dhe kampionat.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"