“Idrizi më kërkoi që vjet, kemi ekip për gjëra të mëdha”, Alla: Dita jonë e keqe, kundërshtari i Flamurtarit
Albi Alla u rikthye në Vlorë pas pesë vitesh. 31-vjeçari zbulon se Sinan Idrizi e kërkoi edhe sezonin e shkuar, por për shkak të dëmtimit nuk mundi të vinte. Për “Panorama Sport”, Alla pohoi se ndihet mirë për rikthimin dhe premton të ndihmojë Flamurtarin.
Vlerëson grupin dhe thotë se ky Flamurtar është projektuar për gjëra të mëdha. Alla zbulon se qëndron më shumë me Vasil Shkurtaj, pasi janë miq të vjetër, madje edhe kumbarë, por veçon se grupi është i bashkuar dhe shumë harmonik.
Albi, si është ky rikthim te Flamurtari dhe si e keni gjetur ambientin?
Është një rikthim i mirë, që e dëshironim të dyja palët. Te Flamurtari dhe në Vlorë ndihem si në shtëpinë time, pasi nga aventura e mëparshme që kam pasur, mbaj mend vetëm gjëra pozitive. Ambienti është shumë i mirë. Flamurtari është një ekip që të jep qetësi, mbështetje dhe dashuri që të punojë secili dhe të kapë nivelet e tij më të mëdha. Ekipi është projektuar këtë sezon për gjëra të mëdha, dhe kjo duket edhe nga afrimet cilësore që janë bërë.
Kush ju telefonoi, çfarë ju bindi të riktheheshit?
Kam pasur kontakte me zotin Idrizi që sezonin e kaluar, por për shkak të dëmtimit që më la jashtë fushe thuajse gjithë sezonin e kaluar, mbetën thjeshtë biseda. Këtë sezon, njeriu që më telefonoi ishte Pollozhani bashkë me insistimin e presidentit dhe dua t’i falënderoj që besuan tek unë dhe te një rikthim në nivelet e mia të mëparshme. Nuk është vendim i lehtë të afrosh në merkato një lojtar, i cili nuk është ende gati 100% për të ndihmuar ekipin.
Aktualisht, a e keni kapur formën tuaj?
Po, e kam kapur. Sot që flasim jam fizikisht 100%. Tani mund ta ndihmoj dhe të japë kontributin tim, që Flamurtari të arrijë aty ku e ka vendin në elitën e futbollit shqiptar.
Si ju duket Flamurtari këtë sezon?
Flamurtari i këtij sezoni është i projektuar shumë mirë me afrime cilësore brenda edhe jashtë Shqipërisë, me një staf të mirë. Kemi bërë një start të mirë të sezonit dhe duhet të mbajmë këtë ecuri duke i marrë ndeshjet një nga një. Dhe, në fund të bëjmë matematikën.
Ku ndryshon Flamurtari i këtij viti me atë të një sezoni më parë?
Flamurtari i mëparshëm, po mos të kishte problemet financiare dhe të ishte i detyruar të largonte shumë lojtarë, jam i bindur që do ishte kampioni i radhës në atë sezon. Kjo, për arsye se kishim një trajner shumë të mirë si Ilir Daja, por edhe futbollistë shumë të mirë në çdo repart, duke filluar nga porta deri në sulm. Duhet thënë se kishim edhe lojtarë që nuk aktivizoheshim si titullarë, por në çdo ekip tjetër në Shqipëri do ishin në formacion atë moment. Ky Flamurtar tani ka ngjashmëri me atë ekipin sa i përket nivelit të lojtarëve edhe cilësisë, por tani kemi edhe mbështetjen 100% të presidencës. Ndaj besoj se e ardhmja do jetë shumë pozitive për futbollin e Vlorës dhe për Flamurtarin.
Katër fitore rresht, si e shikoni këtë ecuri?
Ekipi ka një ecuri të mirë deri tani. Punojmë shumë që të mbajmë këtë drejtim. Duhet të mbajmë kokën poshtë se kampionati është në fillimet e tij dhe duhet t’i shikojmë ndeshjet një nga një, sepse kundërshtari ynë më i fortë, nga çfarë kemi treguar deri tani, është dita jonë e keqe edhe mos përqendrimi. Nuk kemi kohë për eufori, por nuk kemi as ekip që e kap euforia se ende nuk kemi arritur asgjë akoma.
A e vlerësoni të vështirë këtë kampionat?
Nuk mund të them që është një kampionat i vështirë, por është një kampionat me shumë surpriza. Ka shumë ekipe që kanë futbollistë cilësorë, që po të mos jesh i vëmendshëm mund të caktojnë ndeshjen. Është një kampionat më i ashpër fizikisht, më i fortë me duele të forta.
Me Valbonën, çfarë prisni?
Me Valbonën do të jetë një ndeshje siç janë edhe të tjerat. Ne jemi në kërkim të tri pikëve, atë që bëjmë çdo javë.
Me kë shoqëroheni më shumë nga shokët e skuadrës?
Kaloj kohë më shumë me Shkurtajn, pasi jemi shokë të ngushtë prej vitesh. Jemi edhe kumbarë mbi të gjitha. Në përgjithësi, kemi një ambient shumë të mirë. Në çdo mbledhje që bëjmë, për kafe, për drekë ose darkë, është pothuajse shumica e ekipit bashkë.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"