Ikona e qitjes, Diana Mata: Të rinjtë stërviten shumë pak, ne përgatiteshim 6 orë në ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 17:50

Ikona e qitjes, Diana Mata: Të rinjtë stërviten shumë pak, ne përgatiteshim 6 orë në ditë

Vetëm disa ditë më parë, Diana Mata ish-qitësja legjendare e Shqipërisë u nderua nga presidenti i Republikës, Ilir Meta me titullin “Mjeshtër i Madh” për profesionalizmin dhe rolin e paçmueshëm në përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Me një karrierë 30-vjeçare të jashtëzakonshme, Mata mbetet një prej emrave më të mëdhenj të qitjes dhe absolutisht një prej sportisteve më të suksesshme të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, teksa koleksionon plot 27 medalje në kompeticionet më madhore jashtë kufijve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 60- vjeçarja rrëfen edhe një herë karrierën e saj fantastike. Ish-kampionia, e cila sot është trajnere në klubit Studenti ndalet edhe tek situata aktuale që po kalon qitja, ndërsa tregon dallimet me kohën kur ky sport ishte në periudhën e tij të artë.

diana mata

Vetëm pak ditë më parë, ju së bashku me disa legjenda të tjera të qitjes u nderuat me çmimin “Mjeshtër i Madh” nga presidenti. Si ndiheni pas këtij vlerësimi?

Që të jem e sinqertë, mendoj që atë titull duhej ta kishim marrë vite më parë, të paktën Elizabeta Karabolli dhe nga unë. Kur shikonim në TV që vlerësoheshin sportistë që kishin qenë vetëm kampionë kombëtarë, të them të drejtën ndiheshim keq sepse qitja dhe peshëngritje kanë qenë sporte që kanë lënë gjurmë të mëdha edhe në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, nuk ishte vonë për mua, pasi e kisha si ëndërr që të merrja një titull nga presidenti dhe jam shumë e kënaqur.

Le të kthehemi pas në kohë, e mbani mend si iu ka lindur pasioni për qitjen?

Siç dihet unë kam pasur babin trajner të ekipit kombëtar dhe të Tiranës. Sportistet e skuadrës së babait, si Ermira Dingu, e cila kishte marrë rezultate të shkëlqyera në Europë, ishin një shtysë. Sepse duke dëgjuar për arritjet dhe famën e tyre, edhe pse unë kisha diferencë moshe, thashë pse jo të provohem edhe unë. Kështu fillova të shkoj tek poligoni, sigurisht gjithmonë më ndiqte im atë nga pas, i cili e pa me syrin e trajnerit që unë mund të bëhesha qitëse. Kështu që fillova javë pas jave dhe kisha shumë ndryshime. Ndërsa mund t’iu them që brenda një muaji u futa në garë, që është një rast i rrallë për atë kohë sepse duhej një stërvitje shumë e madhe. Më tej vazhdova karrierën që me të rejat, ku isha e dyta, pas Elizabeta Karabollit, që në fillimin e garave të mia të para. Aty filluan të flasin të gjithë, ku qenka edhe një talente tjetër pas Elizabetës.

E kujtoni dot medaljen tuaj të parë?

Pasi mora pjesë në dy apo tre garat e para me të rejat, shteti nuk kishte më interes që të më linte të garoja te të rejat, duke parë që bëhej fjalë për një talent të rrallë. Kështu që kalova menjëherë të konkurroja me të rriturat dhe që në garën e parë mora titullin ‘Mjeshtër Sporti’. Në të gjitha ato vite isha e dyta pas Elizabetës, sigurisht që ishim konkurrente shumë të forta të dyja dhe kjo gjë na ka ndihmuar shumë për të ecur përpara. Më pas filluan spartakiadat, ku zgjidhesha sportistja më e mirë. Kështu që jam shquar që në fillimet e mia, si në garat brenda vendit ashtu edhe në ato jashtë Shqipërisë. Në garën e parë ndërkombëtare isha vetëm 17 vjeç, bëhej fjalë për Kampionatin Europian në Romë. Ndonëse në një moshë shumë të re, arrita që të renditem e nënta në Europë për të rritura.

Sa medalje ka fituar gjithsej Diana Mata?

Të them të drejtën kam fituar shumë. Shqipëria merrte pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare, fillimisht nëpër ballkaniada, sepse ato të jepnin dorë që më pas të merrje pjesë në turne më madhorë si Europianët apo Botërorët. Me ekipin e Shqipërisë gjithmonë kam qenë pjesë e treshes, ndërsa kam dalë e dyta dhe e treta në Europë, dhe e treta në Botë. Gjithmonë kam qenë në podiumin e nderit. Madje në një kampionat botëror jam vlerësuar me titullin më të lartë “Mjeshtre Botërore e Qitjes”, apo “Mjeshtre Europiane Qitjes”. Ndërsa ekipi i Shqipërisë u rendit në vendin e tretë në botë dhe nuk besoj që të ketë sport në vendin tonë të ketë arritur vend të tretë ekipor.

Cili ka qenë momenti më i bukur i karrierës?

Faktikisht kam shumë momente të bukura, të cilat është e vështirë t’i ndash. Po përmend disa siç kanë qenë rastet kur jam shpallur kampione dhe rekordmene Ballkani apo olimpiada e parë në Atlanta, apo olimpiada e zhvilluar në Sidnei, ku u rendita e dhjeta, ku bëhej fjalë për evenimente shumë të rëndësishme. Gjithashtu edhe vlerësimet botërore dhe europiane, pasi gjithmonë kur ngjitesh në podium dhe dëgjon himnin tënd është një ndjesi e veçantë. Një moment shumë i bukur ka qenë pjesëmarrja në europian si trajnere me sportisten time Lindita Kodra, e cila u shpall kampione. Kur je trajnere është edhe më e vështirë sesa sportiste.

 

Si e kujtoni garën tuaj të fundit?

Kisha vendosur për ta lenë qitjen sepse edhe mosha ishte 46 vjeç. Gara e fundit ishte Kampionati Kombëtar i vitit 2006, ku pas saj do të tërhiqesha. Ishte një garë ku pata emocione të jashtëzakonshme, pasi doja ta mbyllja me sukses, ndonëse kisha qenë 17 herë rresht kampione e vendit, plus që kisha dalë 10 herë sportiste e anketave të të gjithë Shqipërisë. Ajo garë të them të drejtën ka qenë shumë e vështirë për mua, megjithatë arrita që të dal sërish kampione, duke fituar edhe titullin e 18-të, e më pas e lashë sportin. Kisha konkurrentet e mia si Lindita Kodra, ku u bëra më pas edhe trajnerja e saj, më të cilën dolëm kampione Europe.

A ka sot qitja shqiptare një Diana Matë të dytë?

Mendoj që edhe mund të kishte sportiste si Diana Mata apo Elizabeta Karabolli, por problemi sot është se sportistët nuk janë më profesionistë. Sportistët punojnë deri në orën 5 pasdite, e më pas i dedikohen sportit si amatorë me 2- orësh. Një sportist profesionist duhet të bëjë vrap, palestër, programet statike si dhe të gjuajë 200 fishekë në ditë. Pa këto komponentë nuk mund të bëhesh asnjëherë qitës i mirë. Nuk mund të bëhesh sportist me 2 orë stërvitje në ditë. Në kohën time, unë stërvitesha 6 orë në ditë, 4 orë paradite dhe 2 orë pasdite. Por sot sportistët e kanë të pamundur sepse nuk mund të heqin dorë nga puna dhe të kalojë sportin në plan të parë, ashtu siç ka qenë dikur.

Si do ta komentoni gjendjen aktuale të qitjes shqiptare?

Të them të drejtën, gjërat kanë filluar të lëvizin dhe qitja po përkrahet. Shikoj që nuk mungon dëshira për t’u bërë pjesë e këtij sporti, pasi kam shumë kërkesa nga sportistët. Por problem është që federata nuk aq shumë të ardhura për të përballuar armët apo municionet. Kështu që unë nuk mund të marr dot shumë sportistë për t’i stërvitur, sepse duhet që armën e një kampioneje t’ia jap një fëmije. Por shikoj që ky sport pëlqehet, madje edhe nga mosha fare të reja, të cilat kanë dëshirë që të vijnë. Siç e thashë më frenon disi vetëm pjesa e bazës materiale sepse poligoni është goxha i madh.

Sa ka evoluar qitja në raport me kohën kur garonit ju?

Disiplina ime ka qenë 1×40 ajër, ndërsa tani është bërë 1×60. Vështirësitë kanë ardhur gjithnjë në rritje, pasi tani për shembull, zvogëlohet 10-a, sepse të gjithë sportistët e qitjes në botë kërkojnë maksimalen. Nga 60 gjuajtje, i marrin të gjitha 10-a dhe ky është rekord. Kështu që zvogëlohet gjithmonë 10-a në 2-3 vite, që të thyhet rekordi. Cili është mesazhi juaj për të rinjtë e apasionuar pas qitjes? U them të afrohen pranë këtij sporti, pasi pavarësisht se bëhet fjalë për qitje, është një sport që i mban të shëndetshëm, pasi duhet që të përgatiten edhe fizikisht. Kështu që u bëj thirrje që të vijnë e pse jo ta rikthejmë edhe një herë qitjen në maja.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"