Ilir Daja dhe Veselinoviç nuk njohin shijen e humbjes, zbuloni kush ka bërë më mirë para derbit Dinamo—Partizani
Dy trajnerë që nuk e kanë provuar shijen e humbjes këtë sezon në Superiore do të përballen të shtunën. Bëhet fjalë për Ilir Dajën dhe Veselinoviç, që do të drejtojnë derbin mes Dinamos dhe Partizanit.
Veselinoviç mori drejtimin e Partizanit në javën e tretë të Superiores. Prej atëherë numëron katër fitore dhe gjashtë barazime. 18 pikë të grumbulluar në dhjetë ndeshje, që japin një mesatare 1.8 pikë për javë.
Në anën tjetër, Daja e nisi te Dinamo në javën e katërt, pikërisht në derbin kundër Partizanit. Nëntë ndeshje në total prej atëherë ku Dinamo ka grumbulluar 17 pikë. Mesatarja është 1.88 pikë për javë nga trajneri i bluve.
Kështu mund të thuhet që timonieri i Dinamos ka bërë disi më mirë, ndërsa të dy do të përballen si të pamposhtur. Sfida e parë mes tyre përfundoi në barazim 2-2, teksa spektakli zgjati nga fillimi i ndeshjes dhe deri në sekondat e fundit.
E radhës luhet në “Elbasan Arena”. Ditën e shtunë, ora 17:00 me një takim që pa frikë mund të konsiderohet dhe supersfida e javës. Kujtojmë se Partizani ndodhet në krye, me po aq pikë sa Vllaznia, dhe vetëm një pikë më shumë se Dinamo e vendit të tretë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"