Iliria përmbys Tomorin në fund me dy golat e vëllezërve Selmani. Droboniku: Fituan falë portierit Xhika

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 15:05

Iliria përmbys Tomorin në fund me dy golat e vëllezërve Selmani. Droboniku: Fituan falë portierit Xhika

Tomori dhe Iliria, përkundrejt kualifikimit, ishin deklaruar se në Kupë kishin si synim aktivizimin e futbollistëve të rinj që vinin nga stoli, dhe kështu ka ndodhur. Në fund janë miqtë nga Fushë-Kruja që arrijnë të kualifikohen, ku morën një fitore me përmbysje, 1-2, falë golave të dy vëllezërve Selmani të shënuar në fund të ndeshjes. 

iliria ne berat

Ajo që u pa qartë gjatë gjithë takimit, ishte loja e bukur dhe shumë luftarake. Starti i ndeshjes dhe pjesa e parë i takoi Tomorit. Portieri Xhika në disa raste u tregua shpëtimtar duke ndalur gjuajtjet e Lirëzës, Lajthijës dhe Budas. Në minutën e 40-të beratasit kalojnë në avantazh me Ngene, që ndoqi aksionin dhe shënon, 1-0 për Tomorin. Me këtë rezultat u mbyll fraksioni i parë. Në pjesën e dytë, trajneri Allamani kryen disa zëvendësime, ku në fushë hyjnë titullarët e Ilirisë, që falë eksperiencës së tyre e vendosën Tomorin nën presion.

Loja luhet në gjysmëfushën e beratasve, të cilët kërkojnë që të mbrojnë me forca të shumta avantazhin. Në të 75-ën me në të një kundërsulmi vendasit mund të dyfishonin me Lajthinë, por Xhika bën heroin me pritjen e tij. Presioni i Ilirisë do të shpërblehet në fund të takimit. Në minutën e 89-të, Adolf Selmani pas krosit nga këndi, do të shënonte me gjithë forcën para portierit Zema. Në 6 minutat shtesë, Iliria nuk hoqi dorë nga goli i fitores që erdhi në minutën 94. Brajan Selmani, me një goditje të bukur me kokë pas krosit nga këndi, shënon dhe kualifikon Ilirinë për në turin tjetër ku gjen Elbasanin.

TOMORI – ILIRIA 1 – 2

GOLAT: Ngene 40′ / A. Selmani 89′, B. Selmani 94′

TOMORI: Zema, Kulaj, Deliu, Kanapari (Bazaj 59′), Ngene (Hamzai 51′), Gabriel, Enrike, Lirëza (Sadiku 59′), Ferreira (Vrioni 67′), Lajthia, Buda (Arbëri 51′); (Në  dispozicion: B. Mesiti, Toska, Nazëri, Vrioni, R. Mesiti). Trajner: Iken Droboniku

ILIRIA: Xhika, Trokthi, Bakalli, B. Selmani, Abazi (A. Selmani 56′), Stafa, Likaj (Okonkeo 49′), Merkoçi (Koleci 48′), Qehaja, Grimci (Olatunbosun 47′), Veriu (S. Selmani 65′); (Në dispozicion, Përgjoni, Kallaku, Cereku, Lleshi, Përgjoni). Trajner: Alfred0 Allamani

Kartonë të verdhë: Kanapari 26′, Hamzai 68′, Zema 85’/ Olatunbosun 69′

Gjyqtarë: A. Merdanaj, J. Isufi, N. Likaj (Vlorë)

Vëzhgues: Ismail Ziraj (Kuçovë)

Delegat: Fatos Shkupi (Durrës)

Beratasit

Droboniku: Iliria fitoi falë portierit Xhika

Iken Droboniku, trajneri i Tomorit, pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “Kjo ndeshje na ka vlejtur shumë, sepse jo vetëm që i dhamë mundësinë futbollistëve të rinj që të ambientohen me ndeshjet zyrtare, por edhe të tregonin vlerat e tyre. Unë jam i kënaqur nga paraqitja e tyre. Ata dhanë gjithçka që dispononin dhe ishim shumë pranë kualifikimit, por Iliria e meritoi për shkak të eksperiencës dhe një portieri në super formë, si Xhika. Futbollistët e mi nuk e përballuan dot presionin edhe pse me dy raste ‘të arta’ të Lajthisë, Lirzës dhe Budës, mund ta kishim mbyllur më shpejt kualifikimin në favorin tonë”.

Allamani: Synim ishte i dyfishtë

Alfred Allamani, trajneri i Ilirisë, pas takimit tha: ”Synimi ynë ishte i dyfishtë, të kualifikoheshim dhe të ruanim vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Gjithashtu, të mbajmë sa më lart formën sportive dhe optimizmin për të ecur në këtë rrugë suksesi, për të cilën është projektuar dhe investuar Iliria në këtë sezon. Në pjesën e parë nuk mbeta i kënaqur nga skuadra, ndaj aktivizova titullari. Ata përmbysën disavantazhin dhe na dhanë kualifikimin e merituar”.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"