Inter-Milan në “Top 5” të Europës, zbuloni cili ka më shumë tifozë në “San Siro”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2024 | 13:14

Inter-Milan në “Top 5” të Europës, zbuloni cili ka më shumë tifozë në “San Siro”

Nuk ka rëndësi nëse ekipi pritës është Interi apo Milani. Në këtë fillim sezoni, “San Siro” ka qenë i tejmbushur dhe një prej stadiumeve me më shumë tifozë në Europë. Për të gjetur një biletë për ndeshjet e kampionatit është shumë e vështirë.

San Siro

Në 5 ndeshjet e luajtura në Serinë A “San Siro” ka pasur 360 mijë tifozë. Një numër i frikshëm, që tregon se stadiumi ka qenë praktikisht i ezauruar. Tendenca vazhdoi edhe dje në sfidën Milan-Leçe. Në ndeshjen Inter-Milan për derbin e së dielës së kaluar, zikaltrit për pak nuk regjistruan “sold outin” e parë sezonal, për shkak të disa biletave që mbetën të pashitura.

Në atë ndeshje kishte 75.366 tifozë. Zikaltrit kanë një mesatare 72.677 tifozë për ndeshje ne 3 që kanë luajtur në shtëpi, ndërsa kuqezinjtë më pak 71.008 tifozë. Dy ekipet e Milanos renditen në “Top 5” të Europës për prezencën më të lartë të tifozëve në ndeshjet e para të luajtura në shtëpi. Gjermanët e Dortmundit janë të parët, ndërsa ndiqen nga Bajerni i Mynihut dhe Mançester Junajtid.

Pikërisht zikaltrit janë në vendin e katërt dhe Milani në të pestin. “Bernabeu” është në vendin e gjashtë dhe Roma në vendin e shtatë me 65.508 tifozë mesatarisht në 2 ndeshjet e luajtura në shtëpi. Klasifikimi përfundon me Marsejën, Uest Hemin dhe Totenhemin. Gjatë kësaj kohe ka pasur shumë diskutime në lidhje me shembjen e stadiumit dhe dy ekipet të ndërtojnë një impiant personal, por për momentin “San Siro” mbetet e vetmja alternativë ku të dyja ekipet mund t’i luajnë ndeshjet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"