Interi, bomberi është… mbrojtja! Rekord në Europë për golat e shënuar me prapavijën
Bastoni, Bisek, Karlos Augusto, Darmian, De Vraj, Dimarko, Dumfris. Nuk është apeli në rendin alfabetik i organikës së Interit, por lista e të gjithë mbrojtësve zikaltër që kanë shënuar në këtë sezon të paktën një gol në Serinë A.
Totali bën 13 gola të mbrojtjes (Turam ka shënuar 12), më shumë se çdo skuadër tjetër në Itali dhe në Europë. Lista me shumë mundësi do të zgjatet, nisur nga fakti që mungojnë edhe emrat e Açerbit dhe Pavarit. Dy mbrojtësit kanë mbetur në bokse në javët e fundit. Por të dhënat janë impresionuese. Skuadra e dytë që ka shënuar më shumë me mbrojtësit është Kaljari, me 7 gola. Por edhe nëse e krahasojmë skuadrën zikaltër me kampionatet e tjerë në Europë nuk ka histori.
Frajburgu, Verder Bremen dhe Kristal Palas që kanë shënuar nga 8. Arsenali dhe Kaljari kanë nga 7 gola, ndërsa me 6 gola janë Monako, Udineze, Leverkuseni dhe Lila. Me 5 janë shumë ekipe si Juventusi, Napoli, Parma dhe Fiorentina. Praktikisht kanë shënuar sa 1/ 3-tën e Interit. Një diferencë e frikshme që konfirmon sa e rëndësishme është të gjesh golat me mbrojtjen, sidomos për skuadrën e Inzagit. Por pse shënojnë kaq shumë?
SEKRETI- Deri tani, mbrojtësit “bombera” të Interit janë lojtarët e krahëve si Dimarko dhe Dumfris, të cilët kanë shënuar nga 3 gola për kokë. Ndjekin Karlos Augusto dhe Darmian me nga 2 gola dhe të tjerët, Bastoni, Bisek dhe De Vraj me nga 1 gol. Totali është 13 gola. Luajnë të gjithë, shënojnë të gjithë. Motivi është i thjeshtë dhe ka një emër dhe mbiemër: Simone Inzagi. Trajneri zikaltër vazhdon t’i besojë skemës së tij duke qenë fanatik i 3-5-2.
Dy anësorët, Dimarko dhe Dumfris, por edhe Darmian me Karlos Auguston praktikisht janë sulmues të shtuar. Dhe jo vetëm, sepse në fazën ofensive marrin pjesë edhe lojtarët e qendrës duke u spostuar në qendër. Bastoni është gjithmonë në gjysmëfushën kundërshtare dhe e njëjta gjë vlen për Bisek dhe Pavar. Për më tepër një armë shtesë janë topat e ndalur dhe goditjet standarde. Receta e trajnerit është e duhura dhe e rendit në krye të Europës. Për të fituar kampionatet është e rëndësishme të mos pësosh gola dhe të shënosh shumë. Por nëse ata që nuk të lejojnë të shënosh po bëjnë edhe sulmuesin, atëherë është shah mat.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"