INTERVISTA/ Franko Bushati: Vit me reforma për basketbollin shqiptar, nuk ka arbitrime tendencioze
Rreth një vit më parë, Franko Bushati e mbylli me basketbollin e luajtur, duke marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm në FSHB. Tashmë pas 14 muajve punë në rolin e zyrtarit në Federatën Shqiptare të Basketbollit, Bushati flet për arritjet dhe objektivat e FSHB-së.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai komenton ndryshimet e bëra në sportin e koshit, duke nisur nga formati i aktiviteteve, deri të lojtarët e huaj. Sekretari i FSHB-së thekson se janë realizuar reforma për të përmirësuar basketbollin, ndërsa flet për ekipet e moshave, për të rriturit dhe Kombëtaret. Teksa zbulon edhe disa risi të tjera, ai gjithashtu komenton edhe polemikat që kanë shoqëruar komunitetin e basketbollit gjatë ditëve të fundit.
Bushati, basketbolli vijon një sezon që nisi me disa ndryshime të rëndësishme, që nga formula dhe deri te numri i të huajve. Si do ta komentoni tashmë që ka kaluar më shumë se gjysma e edicionit?
Ishte një reformë e bërë për herë të parë dhe në fillim kishin frikë se lojtarët vendorë nuk do të aktivizoheshin, por faktet tregojnë se të gjithë lojtarët vendorë që kemi po luajnë. Te Besëlidhja janë Hamati, Hysa dhe Prodani titullarë, te Vllaznia e njëjta gjë, po ashtu sikurse edhe te Teuta, ku lojtarët që luanin vjet po aktivizohen sërish. Te Apolonia janë dy lojtarë vendorë stabël në formacion, pa përmendur këtu Tiranën që ka zgjedhur të luajë me të gjithë ekipin vendor. E njëjta gjë është edhe te kampionati i femrave, ku lojtaret më të mira aktivizohen. Ndryshimi që ne bëmë është që të kemi lojtarë të huaj më shumë cilësorë, pasi niveli i lartë i tyre përmirëson kampionatin, ekipet dhe lojtarët vendorë. Dy të huajt e parë kanë të njëjtën kosto për buxhetin e shoqatave, ndërsa nga lojtari i tretë rritet kosto me 50% dhe kështu me radhë. Kështu që çdo skuadër që synon të marrë lojtarë të huaj, tani sforcohet që t’i marrë sa më cilësorë, sepse normalisht kosto është e madhe. Një ndryshim që po reflektohet edhe në kampionat, pasi basketbollistët e mirë vendorë që e meritojnë vendin po luajnë, ndërsa të huajt e kanë rritur nivelin e kampionateve. Kemi një kampionat me rivalitet, ku përjashto Besëlidhjen që po mban ritmin e vjetshëm, skuadrat e tjera janë të gjitha afër.
Këtë javë kanë nisur ndeshjet e Kupës, ndërsa kemi patur një reagim nga Vllaznia, e cila ka pretendime për formatin “Final 8” që ka aplikuar federata në Elbasan…
Një tjetër ndryshim që ne bëmë, përveç rregullores së kampionatit, ishte edhe ai formatit të Kupës së Shqipërisë. Vjet kur unë kam ardhur, Kupa ka nisur në janar kur ekipet ktheheshin nga pushimet, me lojtarë të huaj që akoma nuk kishin ardhur dhe ekipet ishin me shumë pak stërvitje. Gjëja e parë që kemi ndryshuar është afati se kur duhet të zhvillohet Kupa, kompeticion që po e zhvillojmë këtë javë. Në të gjithë Europën Kupa zhvillohet në këtë periudhë, ndërsa kemi shtuar edhe formatin e “Final 8”, ashtu sikurse bëhet në vendet më të zhvilluara të kontinentit. Pra, ne provojmë të kopjojmë gjërat e mira që shikojmë jashtë dhe t’i sjellim në Shqipëri, jo t’i biem në qafë një ekipi apo një ekipi tjetër. Kjo nuk është një shpikje e jona, por thjesht aplikimi i një formule që përdorin kampionatet më të zhvilluara. Çdo risi që sjellim e bëjmë për të mirën e basketbollit në Shqipëri.
Ndërkohë kemi një shtim të aktiviteteve në radhët e moshave…
Nga vjet kemi U-14 për femra që nuk zhvillohej dhe tashmë e kemi shtuar. Kemi kampionatin U-20 meshkuj dhe femra, që kanë ardhur si dhuratë nga presidenti i federatës, Avni Ponari. Gjithashtu Junior NBA, kur unë erdha vjet, mbaronte në dhjetor, ndërsa tani e kemi zgjatur si aktivitet, për të mos i lënë këto grupmosha pa ndeshje. Të gjitha këto janë ndryshime që ne i kemi bërë për të mirën e basketbollit dhe ndoshta duhet t’i kishim reklamuar më shumë. Por këto janë fakte, pasi bëhet fjalë për kampionate që nuk ekzistonin dhe tashmë janë shtuar, apo kampionate që mbylleshin në dhjetor, ndërsa tani zgjasin.
Shqipëria ka konfirmuar prezencën me Kombëtaret në aktivitetet e FIBA-s. Sa të rëndësishme janë këto pjesëmarrje?
Po, është e vërtetë, jemi me të gjitha ekipet, duke filluar nga “3×3” dhe jemi një nga federatat me më shumë Kombëtare pjesëmarrëse. Jemi me 9 Kombëtare në total edhe pse femrat këtë vit nuk do të jenë, por vjet na dhanë një kënaqësi shumë të madhe, duke u renditur në vendin e tretë në Europianin e shteteve të vogla në Kosovë. Vjet për herë të parë ne kemi pasur dy Europiane në Shqipëri, këtë vit pas një telefonate me Kamil Novak do të kemi përsëri dy kampionate. Vjet arritëm rekord me pesë medalje dhe tani po mundohemi duke punuar me stafet edhe falë mbështetjes Federatës Italiane për plotësimin e stafeve me përgatitor atletik siç bëmë për herë të parë vitin e kaluar. Pra synojmë që të jemi konkurrues këtë sezon edhe më shumë se një vit më parë.
Ndërkohë numri i ulët i arbitrave në basketbollin shqiptar vijon të mbetet një problem…
Është e vërtetë që numri është i pakët dhe ne po punojmë për të afruar gjyqtarë. Këtë vit kemi bërë edhe ndryshimet për testet që arbitrat duhet të kalojnë dhe numri në Superligë është pak më i ulës, sepse kërkojmë një standard më të lartë. Federata po mundohet jashtë mase që edhe këta djem që kemi, apo vajzat e reja që po afrohen, të rriten në nivelin e tyre.
Ditët e fundit basketbolli në Shqipëri është ndezur nga polemikat për arbitrimet. Cili është komenti juaj?
Nuk dua të futem në polemika, sepse kush i shikon ndeshjet i kupton. Ne kemi ekipe që kur fitojnë është meritë e tyre, ndërsa kur humbasin është faj i arbitrave. Kështu që unë nuk dua të futem pjesë e kësaj loje, pasi çdo sportdashës i shikon mirë. Ajo që mund të them me bindje është se tendencë në arbitrim nuk ka, flas për periudhën që unë jam në federatë. Pra jam i bindur që nuk do të shikoni asnjëherë arbitrime tendencioze, ndërsa gabimet ndodhin edhe në Euroligë. Mendoj që nuk duhet të përdoret arbitrimi si justifikim për një humbje, sepse kështu justifikohen edhe lojtarët me alibi.
Keni ndonjë mesazh apo thirrje për ekipet për këtë situatë, duke qenë se po i drejtohemi pjesës së nxehtë të sezonit?
Tani, ndoshta mund të flas edhe si ish-lojtarë, sepse deri para një vit kam qenë vetë në parket. I ndjek ndeshjet dhe besoj që të gjithë duhet të përqendrohen se çfarë mund të bëjnë më shumë. Mund të theksoj një ndeshje që kam parë para pak kohësh, javën e kaluar, kishte gabime poshtë koshit që mund të përmirësohen, pasi nuk janë faji i arbitrit. Nëse edhe vetë trajnerët dhe klubet e heqin alibinë e arbitrave, mendoj që do të ishte më mirë edhe për lojtarët e tyre. Nuk duhet të përcillet mesazhi që kur fitojmë është merita e jonë, ndërsa kur humbasim na e ka fajin arbitri.
Si janë raportet e FSHB-së me FIBA-n dhe me federatat e tjera?
FSHB në këtë moment me FIBA-n ka një raport që nuk e pasur asnjëherë më parë, gjë që e konfirmon vetë FIBA. Na janë shtuar dy programe të tjera, presidenti Jorge Garbajosa ishte këtu, gjithashtu Kamil Novak ka ardhur më shumë se dy herë. Unë dhe Klaudio Ndoja javës tjetër jemi të ftuar nga Federata Italiane për “Final 8” të Kupës atje. Pra vijojmë partneritetin me vendet më të zhvilluara për të përmirësuar basketbollin në Shqipëri. Në këto gjashtë muaj nga Italia kanë ardhur Marco Ramondino që është një nga trajnerët më të famshëm, Maurizio Cremonini që është “GOAT” i minibasket në Europë. Luigi Lamonica ka ardhur për arbitrat, i cili është shefi i arbitrave në 3 olimpiada dhe më shumë ndeshje në Euroligë, aktualisht shefi i arbitrave në Itali. Pra po bashkëpunojmë me më të mirët dhe jemi gjithashtu pranë marrëveshjes me FIBA-n për mbikëqyrjen e ndeshjeve nga “Sportradar”, në mënyrë që kampionatet tona të jenë të monitoruara për sa i përket çështjes së basteve.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)