“Investuam shumë në Islandë”, Brdariç: Goli i Valurit ishte faull, Vllaznia ia del në Shkodër edhe pa shtesa (E PLOTË)
Trajneri Tomas Brdariç ka mbetur i kënaqur nga barazimi 2-2 që mori Vllaznia në Reikjavik, ndonëse me pak fat dhe një gjykim më të mirë mund të kishin fituar.
Në intervistën e dhënë pas ndeshjes Brdariç falënderoi ekipin dhe tifozët për mbështetjen, si dhe shpreh pakënaqësitë e tij për golin e barazimit të Valurit, që u arrit në shtesë mbi shtesë, si dhe pati ndërhyrje të gabuar ndaj portierit. Gjithsesi trajneri ka besim se Vllaznia do të kualifikohet më 18 korrik në “Loro Boriçi”, ku kërkon që edhe prania e tifozëve të jetë sa më e madhe. Brdariç sqaron edhe dëmtimin e kapitenit Balaj, si dhe shprehu lumturinë e tij për golin e shënuar nga 18-vjeçari Dodaj.
Një mbyllje dramatike në fundin e ndeshjes…
Pikë së pari dua të falënderoj ekipin për paraqitjen e bërë. Në fund të takimit, edhe barazimi konsiderohet një rezultat i mirë. Ajo që ndodhi në 10 minutat e fundit nuk ishte në favorin tonë, pasi gjyqtari e humbi kontrollin e lojës dhe përfundoi kështu.
Ju vjen keq që përfundoi kështu dhe në barazim 2-2?
Ne luajtëm shumë mirë dhe përtej kushteve bëmë një ndeshje shumë të mirë. Kur pëson gol në minutë të fundit, këto lloj golash nuk mund të evitohen. Arbitri mundet të vendosë, por për mua ishte faull dhe pozicion jashtë loje. Qarri pretendoi për një faull. Na vjen keq që u mbyll 2-2. Investuam shumë në këtë takim për të marrë më të mirën, megjithatë është një rezultat i mirë për ndeshjen e dytë.
Jeni i kënaqur që një zgjedhje e juaja, si Dodaj, dha më të mirën?
E di mirë që është një djalë i ri dhe që bën diferencë. Jam i lumtur që ai shënoi në këtë takim.
A e ka bërë Vllaznia një hap drejt kualifikimit?
Tani gjithçka e kemi vetë në dorën, ku ndeshjen e kthimit e luajmë në shtëpinë tonë. Para tifozëve tonë ka për të qenë gjithçka në favorin e Vllaznisë.
Mund të na sqaroni diçka më shumë rreth dëmtimit të kapitenit Balaj?
Nuk është diçka serioze, por ai sakrifikoi për ekipin. Në dy apo tri situata arbitri do të kishte vendosur më drejt dhe duhet që të kishte dhënë më shumë kartonë të verdhë për kundërshtarin. Edhe faulli i Deliut ishte një ndërhyrje e drejtë, jo për kartonin e dytë të verdhë.
Merkatoja mbyllet në fund të gushtit, a ka nevojë Vllaznia për lojtarë të tjerë?
Jemi duke u munduar që të bëjmë ekipin sa më të mirë, në të gjithë pozicionet. Jam i kënaqur me lojtarët që kam në skuadër, por nëse gjejmë ndonjë element tjetër që do të bëjë të ndihemi më të kënaqur, do të jetë edhe më pozitive.
Me çfarë note e vlerësoni këtë Vllazni?
Nga njëshi deri te dhjeta, mendoj me një 7 e gjysmë.
Keni një koment për tifozërinë që ju përkrahu edhe në Islandë?
Falënderoj të gjithë tifozët që na mbështetën në Islandën e largët. Ato na duhen, pasi janë një shtysë për ekipin. Tifozët na duhen sa më shumtë në takimin e kthimit në “Loro Boriçi”, që ne të synojmë fitoren dhe të kualifikohemi në raundin e dytë.
Kualifikimin e mendoni me kohë të rregullt, me shtesë apo penallti?
Mendoj se kualifikimin mund ta arrijmë brenda 90 minutave.
ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"