Inzagi në apel, Marota vë objektivat e ekipit! Nuk ka alarm te Interi, por duhet reagim
Nuk është dëgjuar asnjë sirenë alarmi, as të dielën në “San Siro” kur interistët largoheshin të zhgënjyer pas humbjes në derbi dhe të tjerët festonin si të çmendur, as dje në zyrat qendrore të klubit.
As në “Appiano” kur skuadra është rikthyer në stërvitje, ku sirenat kanë shërbyer për të ngritur më shumë “veshët” dhe vëmendjen. Zhgënjim ka plot, por edhe shumë dëshirë për të reaguar, por pa e dramatizuar shumë situatën që po kalon skuadra. Edhe për faktin që sezoni sapo ka nisur dhe ka patjetër një paparashikueshmëri që shoqëron ndeshjet, sidomos ato që janë afër njëra-tjetrës. Në duelin mes Sitit dhe Milanit, skuadra e Inzagit erdhi pak e zbehur si në aspektin fizik ashtu edhe në mendje.
Edhe për këtë u diskutua në takimin që trajneri ka pasur me skuadrën në qendrën stërvitore përpara fillimit të stërvitjes. Realiteti që i bën drejtuesit e Interit të mos ngrenë tonet (ka pasur momente kur presioni ka qenë më i madh ndaj trajnerit) është fakti që ka ende shumë ndeshje për të rikuperuar. Por numrat janë të ftohtë. Kjo është nisja më e dobët e epokës “Inzagi” në krye të skuadrës së Interit, që nga sezoni i errët 2022-2023. Edhe në atë vit pikët ishin 9 kundrejt 8 të këtij aktualit, në të dyja rastet pak.
PA DRAMË- Në qendrën stërvitore do të përdoret fjala: rrotacion. Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit janë të mendimit që kështu do ta kalojnë të gjithë sezonin. Interi është programuar dhe kërkon patjetër që ta mbyllë këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kërkon t’i qëndrojë besnik këtij misioni. Nuk mundet kurrsesi që një mbrëmje jo, pavarësisht se e dhimbshme, të ndryshojë prioritetet dhe të detyrojë skuadrën që të zgjedhë vetëm një kompeticion. Nuk ka një dilemë të madhe në klubin zikaltër nëse duhet të zgjedhë Serinë A apo Champions-in. Inzagi e ka për detyrë që të bëjë rrugë të gjatë në të dyja kompeticionet. Sigurisht që koha dhe ndeshjet afër me njëra-tjetrën nuk kanë ndihmuar aspak trajnerin.
Nga Siti te Milani kaluan vetëm tre ditë dhe për më tepër vonesë në rikthimin nga Anglia. Por në klubin kampion të Italisë ka një bindje që me kalimin e kohës do të ketë më shumë përmirësim. Interi mund të luajë 2 ndeshje të mëdha afër njëra-tjetrës pa vuajtur kaq shumë. Klasifikimi në Serinë A është ende i hapur dhe e bën Interin që të mos e prishë humorin, pavarësisht shuplakave që ka marrë nga Pulisiç dhe Gabia.
TAKIM- Përpara stërvitjes, si gjithmonë ka pasur një takim mes drejtuesve më të lartë të klubit dhe trajnerit Inzagi. Presidenti Marota, zëvendëspresidenti Zaneti, Auzilio dhe Baçin kanë qenë aty si gjithmonë për një diskutim. Është diçka që ndodh gjithmonë, sigurisht akoma më shumë pas humbjes në derbi. Interistët ishin mësuar keq dhe nuk njihnin humbje prej 749 ditësh ndaj Milanit. Sigurisht që tani situata ndryshon dhe duhet që të rifillojnë rrugëtimin si ndaj Milanit ashtu edhe në kampionat. Marota ka qenë i prerë: Interi nuk duhet të heqë dorë nga një kompeticion për t’u fokusuar tek tjetri.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"