Isgandarli në apel, Egnatia ka gati planin për sfidën ndaj Partizanit
Egnatia ka mbyllur dje përgatitjet për sfidën që do të luajë sot kundër Partizanit në orën 13:30 në “Arena Egnatia”. Rrogozhinasit e kanë shfrytëzuar këtë pauzë të Kombëtareve për t’u kolauduar, pasi disa futbollistë, që kanë pasur probleme fizike kohët e fundit, janë rikuperuar plotësisht.
Edlir Tetova i gëzohet faktit që grupi i futbollistëve është i plotë, teksa 66 minutat kundër “demave të kuq” dhe të gjitha ndeshjet në vijim, do t’i riluajë pa kapitenin Rafael Duamena. Ganezi, që në 11 takime kishte shënuar 9 gola, ishte ndoshta gjysma e këtij ekipi, por tashmë Tetova do të duhet të gjejë të tjera pika referimi.
ISGANDARLI NË APEL – Në vend të 28-vjeçarit do të luajë Vusal Isgandarli, i cili në fakt u përgatit për të hyrë në fushë kur ndeshja u ndërpre. Sebastjan Spahiu e nisi sfidën e 11 nëntorit kundër Partizanit në të majtë të sulmit, por do të spostohet në pozicionin e tij natyral dhe vendin e tij do ta mbulojë Isgandarli. Sulmuesi azer, edhe pse erdhi me bujë për të zëvendësuar brazilianin Xhekson, nuk ka arritur pritshmëritë, të paktën në këto 12 javë kampionat. Ai është autor i dy golave në këto 12 javë kampionat, por në vazhdim me siguri pritshmëritë rreth tij do të shtohen, pasi do të duhet të marrë një rol më kryesor në skuadër dhe më shumë përgjegjësi.
FORMACIONI – Në portë do të luajë Alen Sherri, i cili po rezulton nga ndeshja në ndeshje një nga pikat më të forta të skuadrës. Në mbrojtje Bledar Lila ka zënë vendin e Fangajt, i pezulluar për këtë sfidë. Xhemajli e Malota pozicionohen në qendër dhe Musta në të majtë. Në mesfushë nuk ka dilema, pasi Zejnullai, Aleksi dhe Fernando janë tashmë trinomi i palëvizshëm për teknikun Tetova. Në sulm Isgandarli e Spahiu nga krahët do të mbështesin Gytis Paulauskas në majën e sulmit. Lituanezi vjen me 180 minuta në këmbë nga kombëtarja e Lituanisë dhe është stërvitur vetëm 2 ditë me ekipin në kompleksin sportiv në Lekaj.
PLANI – Referuar këtyre 12 javëve të këtij sezoni, rrogozhinasit janë një skuadër, që zbret shpesh nga krahët duke i vendosur në vështirësi kundërshtarët. Bardhejeshilët detyruan ekipin e Arbër Abilaliajt të ndëshkohej 2 herë brenda 10 minutave dhe si për ironi të fatit, lojtarët që u ndëshkuan me karton të verdhë rezultuan mbrojtësit e krahut, Murataj dhe Buxhelaj.
ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"