Ish-kapiteni Gjyla: Lushnjës i duhet më shumë lëvizshmëri në mesfushë, i ka mundësitë për më lart
Viktor Gjyla, një nga simbolet e futbollit verdhejeshil të Lushnjës, flet për edicionin e sivjetshëm të myzeqarëve. 42-vjeçari gjatë prononcimit për “Panorama Sport” deklaroi se mbështetësit e lushnjarëve mezi presin të shikojnë një skuadër mes pretendentëve.
“Ekipit i duhet sa më shumë lëvizshmëri nga mesfushorët. Janë ata ura lidhëse ndërmjet reparteve. Reparti i mesfushës duhet të marrë më shumë përsipër në lëvizshmëri, sidomos kur skuadra ka topin. Aty del në pah dhe lideri i ekipit, që bën diferencën. Mendoj se mbrojtja po bën mirë, por vetëm t’i japë pak më shumë shpejtësi lojës kur kemi topin në qarkullim. Është pozitive që kemi një numër të madh lojtarësh që shënojnë. Po ashtu, kemi edhe fitoren me 3 apo 5 gola të shënuar në një ndeshje. Unë i vlerësoj përpjekjet që bëhen për të ringritur Lushnjën, pasi është një ekip me traditë në futbollin shqiptar. Me ardhjen e stafit të ri ka frymë të re dhe entuziazëm. E rëndësishme është që ekipi të ketë vazhdimësi, si dhe të jetë sistematik me rezultatet.
Jo një herë të fitojë dhe një herë të humbasë. Aq më tepër të humbasë në fushën e vet. Tifozët mesi presin që Lushnja të jetë mes pretendentëve për t’u ngjitur atje ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar. Trajnerit Xhafa dhe stafit të tij, shpresoj t’i ketë bërë mirë ndërprerja dyjavore e kampionatit për të bërë një minifazë të vogël, në mënyrë që të njoh më mirë lojtarët dhe gjendjen e tyre. Lushnja i ka mundësitë të jetë mes skuadrave që synojnë ngjitjen një kategori më lart. Nuk duhet të humb terren me skuadrat e kreut, duke filluar nga ndeshja e radhës në Pogradec. E rëndësishme është që skuadra të shkojë e bindur për rezultatin pozitiv”, deklaroi ish-kapiteni Viktor Gjyla.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"