Ish-kapiteni i Flamurtarit flet për rikthimin dhe objektivat. Telushi: Vlora në siklet, viti i fundit i vuajtjes
Bruno Telushi mezi po e pret debutimin me Flamurtarin. Gjasat janë që vlonjati të jetë gati javën e ardhshme, pas ndeshjes me Pogradecin. Në një intervistë për “Panorama Sport“, mesfushori 34-vjeçar tha, se rikthimin në Vlorë e ka bërë me zemër.
Telushi thekson se kuqezinjtë kanë një grup të fortë që i vendos në presion të gjitha skuadrat dhe që pjesën më të madhe të lojtarëve i ka pasur shokë edhe në skuadra të tjera. Për ish-kapitenin, kjo kategori nuk është aspak e lehtë, por nuk e shikon të vështirë ngjitjen e kuqezinjve në Superiore.
Telushi, kur do të jeni gati për Flamurtarin dhe përse nuk po ju shohim në fushë?
Unë kam një dëmtim të lehtë. Besoj se edhe këtë javë do të jem jashtë fushës dhe pastaj do të jem i gatshëm për ekipin, për trajnerin, për të dhënë maksimumin tim me eksperiencën dhe gjithçka që kam.
Si ishte ky rikthim juaj në Vlorë?
Kthimi im në Vlorë është me shumë emocion nga ana ime dhe një zgjedhje që e kam bërë me zemër. Pa diskutim që do të japë maksimumin me qëllim që Flamurtari të shkojë aty ku i takon në Superiore.
Ky nuk është një rikthim juaj në shtëpi, sepse mosha bëri punën e vet apo jo, pasi keni ende shumë për të dhënë?
Jo, jo pa diskutim. Rikthimi im është që unë të japë kontributin tim maksimal. Këtu në ekip dhe në qytet unë i di ato të mirat dhe të këqijat. Në ekip pjesën më të madhe të lojtarëve i kam shokë, pasi kam luajtur edhe në skuadra të tjera me ata.
Si është ky grup i lojtarëve sipas këndvështrimit tuaj?
Është një grup shumë i mirë dhe shumë pozitiv. E kemi mundësinë që të ngjitemi në Superiore shumë lehtë. Patjetër që gjithsecili nga ne duhet që të japë maksimumin në fushë.
Si është pritur këtë herë në Vlorë rikthimi juaj?
Për mua Vlora nuk është ambient i ri, por shtëpia ime. Jam rritur me ato ngjyra. Jam pritur shumë mirë nga të gjithë. Edhe nga tifozët po ashtu. Më kanë dërguar mesazhe dhe më kanë shkruar shumë dashamirës të mi dhe të futbollit vlonjat. Stafi, trajnerët, shokët e mi dhe presidenti më kanë pritur shumë ngrohtë. Jam ndier shumë i vlerësuar nga të gjithë.
Si e shikoni debutimin tuaj me Flamurtarin në vazhdim?
Mezi e pres debutimin tim, që të rikthehem edhe një herë të luaj në qytetin tim, në atë stadium që kam dhënë dhe kam marrë shumë emocione të bukura. Mezi po pres të vesh atë fanellë dhe të futem në fushë për të luajtur.
Në skuadër aktualisht ka një konkurrencë të madhe, është pozitive kjo apo…?
Po, është e vërtetë që ka shumë konkurrencë. Unë mendoj se konkurrenca në çdo ekip bën mirë. Nuk sjell asnjë problem. Unë kur erdha këtu, dy ditët e para që e kam ndjekur ekipin nga jashtë pasi bëra stërvitje të diferencuar, kam parë një ekip shumë të mirë të them të drejtën, nuk e prisja një stërvitje me ritëm aq të mirë dhe aq të lartë. Kjo është për shkak të konkurrencës. Të gjithë janë aty-aty dhe do të japin maksimumin në stërvitje për të kapur vendin e titullarit.
Si e shihni Kategorinë e Parë, pasi vini nga Superiorja që ka cilësi më të madhe?
Unë do të thosha që kjo kategori nuk është e lehtë. Është një skuadër si Flamurtari me një emër të madh dhe emrat në fushë janë lojtarë të njohur, ndaj mendoj se nuk është e lehtë dhe se çdo kundërshtar që t‘i përballesh e ka si jetë a vdekje. Sikur luajnë me një ekip të madh, me një ekip shumë të mirë dhe shtrëngohen 100%-in e tyre. Për ndeshjen që luajtëm me Korabin, mua më pëlqen që djemtë e nisin ndeshjen me shumë uri dhe me shumë agresivitet. Kjo bëri që të vijë edhe goli i parë shumë shpejt. Më pas e menaxhuam shumë mirë. Por edhe pjesa e tifozëve është shumë e rëndësishme. Është e lehtë ta thuash që tifozët janë lojtari i 12-të, por për ne që luajmë në fushë është mbështetje e madhe. Doja edhe ta kërkoja që stadiumi i Flamurtarit të jetë i tejmbushur, pasi i ka hije tifozëria. Po ashtu edhe ultrasit kanë qenë të mrekullueshëm. Ekipi ka shumë nevojë për “Flotën Kuqezi“.
Ka lojtarë që kur vijnë nga Superiorja në Kategorinë e Parë e marrin lehtë. Ju si mendoni?
Kur e nis me një nënvlerësim, në çdo skuadër, normalisht që nuk të bënë mirë edhe si futbollist, por edhe gjithë skuadrës, në këtë rast Flamurtarit. Kjo është shumë e rëndësishme. Kushdo që të jetë dhe që futet në fushë, të mendoj që ka veshur fanellën e Flamurtarit dhe është një fanellë që ka peshën e vet. Flamurtarit në këtë kategori i duket vetja si në siklet dhe e pret me patjetër Superioren. Unë mendoj se ky do të jetë viti i fundit që jemi këtu.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"