Ish-kapiteni Sakaj: Flamurtari mbetet superior, diferencën e bën përbërja dhe Agostineli
Artan Sakaj mendon se ky është Flamurtari më i fortë i gjithë viteve të fundit. Për “Panorama Sport”, ish-kapiteni thekson se kjo skuadër është superiore në rezultate dhe lojë. “Ndryshe nga vitet e tjera, në këtë sezon Flamurtari ka një përbërje shumë herë më cilësore të lojtarëve.
Kjo ka ndikuar edhe në ecurinë pozitive të rezultateve që ka pasur ekipi. Kanë qenë superior në rezultate, por edhe në lojë. Kanë pasur edhe luhatje si të gjitha ekipet, por unë them se këtë vit e shoh ekipin shumë të fortë nga vetë përbërja që ka”, shprehet fillimisht ish-kapiteni vlonjat.
LUSHNJA- Sakaj ndalet edhe te ndeshja e fundit në Lushnjë dhe sidomos te problematika e terrene sportive. “Në këto terrene është e pamundur që lojtarët të shfaqin vlerat e tyre reale. Flamurtari, duke pasur autoritetin me përbërje cilësore, normalisht arriti të fitojë ndeshjen nëpërmjet fitimit të dyluftimeve, që në këto terrene është shumë thelbësore për të arritur rezultatin pozitiv. Edhe puna e trajnerit Andrea Agostineli duket që është përcaktuese në rezultatet e arritura apo në autoritetin e ekipit. Gjëja kryesore është që ta menaxhosh ekipin apo ta përgatitësh për një ndeshje të fortë në një terren të papërshtatshëm. Flamurtari e ka edhe petkun për t’i fituar këto ndeshje.
Në këtë takim, unë them se Flamurtari ka vendosur diktatin, duke treguar forcën kundrejt një ekipi siç është Lushnja, që është i vështirë si ekip. Jo vetëm në Vlorë na vuri në vështirësi, por në fushën e saj është shumë e fortë. Përveçse kanë pasur gjithmonë ekip të mirë, kanë edhe tifozët që i mbështesin si dhe luajnë futboll shumë të mirë. Ndërsa në Vlorë ka rënë pak shikueshmëria në shkallët e stadiumit. Të fitosh me një ekip si Lushnja, që e mbështesin tifozët, është një gjë shumë e mirë dhe që tregon se Flamurtari është i fortë. Tifozët janë një ‘armë’ e fortë për ekipin e tyre, si në rastin konkret për Lushnjën”, shprehet Sakaj.
SUPERIORJA- Edhe për Artan Sakajn, Flamurtari është më pranë se kurrë ngjitjes në Superiore. “Gjithë këto vite Flamurtari ka vuajtur, ndonëse ka bërë edhe ekipe pretendente për Superioren, por nuk ia ka arritur. Mendimi është se një klub që do të ngjitet, duhet të krijojë një ekip konkurrues me pjesën kryesore të klubeve të Superiores. Flamurtari e ka këtë përbërje dhe që tani mund të konkurrojë me disa nga ekipet e Superiores. Në Kategorinë e Parë nuk ke skuadra si Flamurtari dhe Vora, por edhe të dobëta shumë që nuk konkurrojnë dot me ekipet e elitës shqiptare. Megjithatë, skuadrat e vendeve të fundit të Superiores nuk kanë përbërje që mund t’i krahasosh me ekipe të Kategorisë së Parë, por është ana psikologjike e tyre dhe kriza e rezultateve që i kanë sjellë në këtë situatë”, thotë Sakaj.
TE DINAMO- Ish kapiteni i Flamurtarit është tashmë pjesë e Dinamos, si trajner i ekipit U-17. Sakaj është edhe zbulues i talenteve për ekipin e parë. “Më ofruan diçka që më mungonte prej kohësh. Për arsye familjare, jam shkëputur nga sporti për tri vite. Pata një ofertë dhe u riktheva. Objektivat e klubit janë që të nxjerrë elementë të rinj për të furnizuar ekipin e parë. Kushtet janë shumë të mira. Falënderoj drejtuesit për besimin”, përfundon Sakaj.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"