Ish-mbrojtësi amplifikon shqetësimin e beratasve, Aliaj: Bashkia dhe klubi të kthejnë sytë nga Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2024 | 13:19

Ish-mbrojtësi amplifikon shqetësimin e beratasve, Aliaj: Bashkia dhe klubi të kthejnë sytë nga Tomori

Në Berat situata është e pazakontë me ekipin vendës, Tomori. Klubi dhe bashkia nuk kanë denjuar deri tani të mbledhin skuadrën, që duhet të nisë punën për sezonin e ri futbollistik. Ish-mbrojtësi i njohur beratas i Tomorit, nënkampion i vendit në sezonin 1999–2000, Eduart Aliaj, për “Panorama Sport” shpreh shqetësimin e tij në lidhje me situatën e Tomorit.

tomorii

“Unë banoj pranë stadiumit dhe çdo pasdite pas përfundimit të punës, vij dhe pi kafen me shokët dhe miqtë e mi, pikërisht në lokalin e stadiumit. Konstatoj me keqardhje një qetësi olimpike, s’ka lëvizje as të drejtuesve dhe as të ekipit të Tomorit. Në eksperiencën time të gjatë si ish-futbollist, nuk më ka ndodhur asnjëherë që të ketë pushime kaq të gjata prej dy muaj e gjysmë. Kemi qenë edhe më parë në Kategorinë e Dytë, por kujtoj se fundi i qershorit apo fillimi i korrikut na gjente në fazë përgatitore jashtë Beratit. Ndërkohë tani, ku edhe buxheti që merr klubi është më i madh sesa në kohën tonë, në Berat nuk zhvillohet procesi stërvitor për sezonin e ri. Edhe unë, ashtu si dhjetëra emra të njohur të Tomorit ndër vite, i bashkohem shqetësimit publik, qoftë edhe në emër të traditës dhe në respekt të tifozëve.

Bashkia dhe klubi duhet të kthejnë sytë sa më parë nga Tomori, sepse kjo situatë është mjaft e rëndë. Skuadra nuk ka kohë për t’u përgatitur si duhet. Askënd mos ta gënjejë mendja se Tomorin do ta lënë edhe një vit në të Dytën, pasi pasojat do të jenë të rënda dhe të parikuperueshme. Ndaj, duhet reagim sa më i shpejtë. Klubi le të mbledhë në një tryezë brezat për të rrahur mendime dhe të japim sugjerime si të dilet nga kjo gjendje. Mos të ecet me mendimin që jemi në të Dytën, përkundrazi, klubi dhe bashkia kanë detyrimin primar për ta rikthyer sa më shpejtë skuadrën në Kategorinë e Parë”, ka përfunduar analizën e tij ish mbrojtësi i djathtë Aliaj.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"