Ish-mesfushori reagon për situatën e futbollit beratas, Matrapazi: Ktheni Milen, ai e fut Tomorin në “shina”
Ish-mesfushori i njohur i Tomorit në vitet 70-80, Agim Matrapazi, i njohur me nofkën “Pele”, ka reaguar ashpër për “Panorama Sport”, jo vetëm duke drejtuar gishtin nga Bashkia, por edhe ka dhënë “recetën” për daljen nga kjo situatë për skuadrën e qytetit të Beratit që deri tani nuk ekziston:
“Iku dhe një javë ashtu si ato të mëparshmet. Berati nuk skuadër dhe as staf teknik nga i cili nis organizimi i skuadrës. Kjo situatë përbën vërtet një skandal dhe shqetësimi është sa i drejtë ashtu edhe po diskutohet ekzistenca e një skuadre të njohur dhe me histori. Për mua personalisht, pa një pa dy, fajtore dhe përgjegjëse për këtë krizë është Bashkia që po fle gjumë dhe e katandisi Tomorin deri këtu. Nuk është e rastësishme kjo situatë, sepse është po Bashkia që nuk festoi 100 vjetorin e klubit, duke na fyer ne të gjithë brezat, dhe po kjo Bashki që prishi një fushë futbolli, dhe mbolli pemë”, thotë ish-mesfushori i njohur fillimisht.
ZGJIDHJA E KRIZËS- “I bëj thirrje kryetarit të bashkisë, që të ushtrojë detyrën dhe detyrimet ligjore që ka për Tomorin me 101 vite histori. Për mua personalisht, duhet rikthyer urgjent dhe me çdo çmim, një trajner ekspert dhe që di të përballojë situata të tilla si Kiço Mile. Vetëm Mile di të motivojë të rinjtë dhe të rikthejë Tomorin në shina, sepse koha po ikën dhe nuk niset faza në shtator, edhe java që vjen përsëri është shumë vonë”, ka përfunduar Matrapazi për gazetën.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"