Ish-mesfushori Tërpo: Skënderbeu ka kthyer besimin, e mund edhe Laçin
Fitorja 0-2 me Dinamon në çerekfinalen e parë të Kupës ishte një shenjë e rëndësishme e reagimit të Skënderbeut, që pas një periudhe të gjatë me rezultate jo të mira, ka kthyer faqe. Korçarët kanë hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në gjysmëfinale, ndërkohë që ekipi po bind me atë që ka bërë në fushë këto javë të fundit.
Ky është mendimi i specialistëve të futbollit në Korçë, që e kanë ndjekur me shumë kureshtje ecurinë e ekipit. Suksesi i fundit në transfertë, veç vlerave që ka sa i përket rrugëtimit të korçarëve në Kupë, ka ndikim edhe në anën psikologjike para sfidës me Laçin në kampionat. Ky është mendimi i ish-mesfushorit të Skënderbeut, Ilia Tërpo.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thekson se rezultatet e tri ndeshjeve të fundit tregojnë qartë kthesën që ka bërë Skënderbeu. “Fitorja me Dinamon në Kupë, por mbi të gjitha fitorja me Teutën dhe barazimi po me Dinamon në kampionat janë një tregues i qartë se ky ekip ka potencial. Skënderbeu ka filluar të reagojë, duke lënë pas situatën ku ndodhej prej kohësh.
Ka një rrjedhë logjike që të çon në këtë pikë, ku ekipi fitoi ndeshjen me Teutën në shtëpi, barazoi me Dinamon në transfertë në një ndeshje që me pak më shumë kujdes mund ta fitonte, siç bëri së fundi në Kupë. Të gjitha këto tregojnë se Skënderbeu është ende në garë dhe nuk është dorëzuar për qëndrimin në Superiore. Këto fitore japin besim, atë që ky ekip e kishte humbur prej javësh”, ka thënë fillimisht Tërpo.
LAÇI – Më tej, duke folur për merkaton e janarit dhe ndeshja e së hënës me Laçin, ish-mesfushori korçar u shpreh se tashmë ekipi ka më shumë cilësi dhe mund të mposhtë çdo kundërshtar: “Skënderbeu ka pasur cilësi, ka bërë lojëra të mira, por ndeshjet e humbura i kishin ulur besimin.
Fitoret e fundit kanë kthyer motivimin, ndërsa afrimet, sipas meje, e ka rritur forcën e Skënderbeut dhe kanë sjellë më shumë eksperiencë. Për ndeshjen e radhës ndaj Laçit në kampionat besimi është i madh dhe mendoj se Skënderbeu do ta interpretojë në mënyrën më të mirë. Pres ta fitojë edhe këtë takim në shtëpi”, përfundoi ish-lojtari bardhekuq, Ilia Tërpo.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)