Ish-portieri Cilingiri: Tomori të fokusohet te “play off”-i dhe forcimi i akademisë
Humbja e pësuar ndaj Luftëtarit në shtëpi, thuajse i ka shuar shpresat e tifozërisë beratase për ngjitjen direkte në Kategorinë e Parë. Në ndryshim nga një numër i konsiderueshëm i mbështetësve të skuadrës, një emër i njohur i Tomorit në vitet ’80, ish-portieri Fatos Cilingiri, pasi ka ndjekur Tomorin kundër Luftëtarin, për “Panorama Sport” jep pikëpamjen e tij për ekipin.
Ai inkurajon skuadrën dhe stafin teknik, që të mos dorëzohen. Sipas tij, skuadra duhet të vazhdoj garën për të realizuar misionin e ngjitjes, nëpërmjet opsionit të dytë, ndeshjet shtesë. “Ndeshjen me Luftëtarin e pashë dhe sigurisht nuk jam ndier mirë. Jo thjesht për humbjen, që për mua ishte e parashkruar, por më së shumti për situatën ku ndodhet Tomori. Fakti që në formacion luanin vetëm katër beratas, është një tregues i krizës që përjeton në këto momente skuadra jonë e zemrës.
Mendoj se i duhet dhënë më shumë prioritet dhe investime ekipeve të moshave, që duhet të garantojnë të ardhmen. Në të kundërt, do të përballemi me një krizë në të ardhmen. Për sa i përket kampionatit në vazhdim, mendoj se tani skuadra dhe stafi teknik, duhet të fokusohet tek “play off”-i, që të jep mundësinë e ngjitjes nëpërmjet ndeshjeve shtesë. Për mua, nuk duhet të dorëzohen, sepse Tomori ka histori dhe nuk meriton të luaj në këtë kategori, që është një torturë e vërtetë për nga niveli dhe përfaqësimi”, u shpreh ish-portieri Fatos Cilingiri.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"