Ish-presidenti Çobani: Lushnja ka pasur problem keqmenaxhimin dhe abuzimin, biznesi të guxojë për privatizimin
Ish-presidenti Artur Çobani në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” tha, se biznesmenët apo shoqëritë duhet të marrin guximin dhe të privatizojnë klubin e Lushnjës. Bashkia ka përcaktuar vlerën dhe është në interes të tyre të drejtojnë një klub me histori, infrastrukturë dhe tifozëri.
Çobani tha se Lushnja është brenda parashikimeve dhe i ka mundësitë të jetë në gjashtëshen e parë.
Fillimisht, të flasim për ndryshimet…
Lushnja duhet të ndryshojë deri sa të kthehet aty ku duhet të jetë. Në këto vite të fundit jemi luhatur shumë poshtë. Dalja dy herë radhazi, në “play-out” nuk ka qenë normale për një ekip me traditë si Lushnja. Arsyeja tjetër? Buxheti nuk ka qenë i paktë për Kategorinë e Parë. Buxhet bashkie, por i garantuar. Për Kategorinë e Parë, ky buxhet është më se i justifikueshëm. Po flasim për një ekip që drejtohet nga Bashkia.
Gjithkush mund të pyes, çfarë është bërë?
Në shumë raste është abuzuar. Nëse do të marrësh përsipër për të drejtuar një ekip futbolli, detyrimisht… Në skuadrat e Kategorisë së Parë që nuk kanë stafe të mëdha, përzgjedhjen e futbollistëve që përfaqësojnë ekipin e bëjnë vetë trajnerët, në fillim të sezonit. Nuk është e thënë, që ata do të marrin kë duan. Nuk ta plotëson buxheti, por në Lushnjë mundësia e përzgjedhjes ka qenë.
Te Lushnja çfarë futbollistësh vijnë?
Lushnja ka futbollistë lushnjarë që mund t’i afrosh. Po flasim për 5-6 vjet që Lushnja noton në këto ujëra, shkon në “play-out”, duke nisur nga dalja nga Superiorja në vitin 2018. Po sikur në këto 5-6 vjet të ishte bërë një plan afatgjatë. Me talentet që ka në akademi, në ekipet e saj zinxhir do të krijohej një ekip me perspektivë, duke i bërë këta futbollistë me kontrata 2-3 apo 4-vjeçare.
Mund të marrim një shembull?
Unë do të merrja një shembull, pavarësisht se nuk është shumë pozitiv, akademinë e Fierit që ka marrë futbollistë nga Lushnja. I ka marrë në akademinë e saj për të krijuar ekipin e vet. Dhe, Apolonia ka qenë më e suksesshme nga ne në këto 5-6 vjet. Ka arritur të shkojë çdo sezon në “play-out”, për të hyrë në Superiore. Ndërkohë që Apolonia nuk e ka traditën si Lushnja.
Pse Lushnja është në këtë gjendje?
Ndaj po e them. Nëse janë bërë gabime në të kaluarën… Ky buxhet ka ekzistuar dhe ka qenë i përvitshëm. Lushnja është në këtë gjendje nga keqmenaxhimi dhe nga abuzimi. Të gjithë ata që kanë ardhur në drejtim të Lushnjës, kanë keqmenaxhuar dhe abuzuar me këtë buxhet. Kemi parë që Lushnja ka kryer fazën përgatitore në vende të mira, në vende luksi, në Maqedoni apo jashtë qytetit. Dhe nuk është pak për një skuadër të Kategorisë së Parë. Ndërkohë, që nuk është vetëm buxheti i bashkisë. Në dijeninë time ka edhe sponsorizime të tjera. Ka shumë dashamirës, për të sponsorizuar për sportin. Kjo është ajo pse Lushnja ka ardhur në këtë pikë.
Presim që klubi të kalojë me sipërmarrje. Çfarë mendimi keni?
Erdhi një moment që bashkia, ndoshta e lodhur, por edhe për të zbatuar ligjin për sportin, i vuri pikat mbi “I” dhe përcaktoi vlerën me të cilën do të shiten aksionet për ekipin e futbollit.
Që nga momenti, që është marrë ky vendim, duket se ka një periudhë letargjie?
E vërtetë është dhe unë jam kurioz. Dua të di se çfarë po bëhet. A ka ardhur ndonjë ofertë apo jo? Nuk kam dëgjuar deri tani. Jam i dëshiruar dhe kurioz të di ata që do të afrohen. Unë u bëj thirrje biznesmenëve që financojnë për sportin, të marrin guximin të vijnë dhe të privatizojnë klubin e Lushnjës, ashtu siç ka dalë nga bashkia. Janë shumë arsye që ata do të jenë të fituar.
Konkretisht…
Unë nuk dua të bëj krahasime. “Traktori” i dikurshëm dhe Lushnja e mëvonshme ka një traditë, që vjen pas 4-5 skuadrave kryesore të Shqipërisë ndër vite. Tifozëria, që ka Lushnja nuk mund të krahasohet me atë të shumë ekipeve të tjera. Nëse Lushnja do të jetë në Superiore do të ketë më shumë tifozë në stadium se sa ka Elbasani sot. Po marr shembull Elbasanin, që me të vërtetë po i jep një bukuri dhe kënaqësi futbollit të Superiores. Prandaj kush do të afrohet nga ata biznesmenë, për të ndërtuar një skuadër të privatizuar nën drejtimin e tij, do të jetë i fituar. U them, që do të jetë në interes të tyre.
Ka dhe arsye të tjera?
Veç traditës dhe tifozerisë, Lushnja ka dhe infrastrukturën. Sot është nga më të mirat në vend. Ndoshta Korça mund të jetë më mirë se Lushnja me infrastrukturën. Lushnja ka dy fusha rreth stadiumit, fushën e Plugut. Pranë stadiumit do të ndërtohet hoteli. Ka një infrastrukturë që të kesh zili të jesh drejtuesi i një skuadre si Lushnja. Urojmë të vijë sa më shpejt, presidenti apo shoqëria për ta privatizuar.
Le të vijmë te ndryshimi në pankinë. Si e shihni?
Duhet të kishin ndodhur. U bë një kohë e gjatë, që Lushnja notonte në këto ujëra. Ardhja e Xhafës me një staf ndryshe, nga çka qenë më parë, ishte domosdoshmëri për të sjell një erë ndryshimi. Një djalë lushnjar. Andej ku ka qenë, në Itali, mund ta ketë ushtruar profesionin e trajnerit. Kryesorja është që ndjehet fryma e ndryshimit, pas ardhjes së Xhafës. Përjashto ndeshjen me Valbonën, që ishte një surprizë. Kurrë nuk e mendoja një rezultat të tillë. Por në tre ndeshjet e tjera, skuadra ka bërë jashtëzakonisht mirë. Uroj të kenë vazhdimësi, të kenë sukses të dy trajnerët, Xhafa dhe Taullahu.
Janë brenda parashikimeve?
Skuadra është brenda gjashtëshes. Një renditje e ngjeshur me pikë të barabarta me Apoloninë dhe Pogradecin. Ka një ndeshje të rëndësishme, pas pushimeve në Pogradec. Pa diskutim duhet kaluar. Uroj të kaloj edhe me fitore. Në mënyrë që të na mbajë, në hapin dhe ritmin e kryesuesve. Për të qenë brenda “play-off”-it. Shkuarja në “play-off”, na jep shpresa. Në mos për të kaluar në Superiore, për të dalë në finale. Të bëjnë një hap të guximshëm për t’i dhënë moral skuadrës për sezonin që vjen. Për këtë sezon, skuadrat kryesore, Flamurtari, Besa edhe Vora i shikoj një hap më larg se Lushnja. Sezonin tjetër, shpresoj shumë që Lushnja të jetë në Superiore.
ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"