Ish-presidenti kërkon vlerësimin e historisë 100-vjeçare. Apeli i Çobanit për shitjen e Lushnjës: Të mos hezitojnë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2024 | 12:07

Ish-presidenti kërkon vlerësimin e historisë 100-vjeçare. Apeli i Çobanit për shitjen e Lushnjës: Të mos hezitojnë…

Lushnja e futbollit është fokusuar tërësisht te mesdita e së premtes. Në sallën e Këshillit Bashkiak do të mblidhet asambleja e përgjithshme e KF “Lushnja 1930” sh.a. ku do të shqyrtohet relacioni “Për dhënien e pëlqimit për shitjen me ankand të aksioneve të KF “Lushnja 1930” sh.a në masën 100%”.

LUSHNJA EKIPI

Relatimi i paraqitur propozohet për miratim. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-presidenti Artur Çobani në lidhje me këtë proces u shpreh: “Ky është një hap shumë i rëndësishëm për të cilin Këshilli Bashkiak nuk duhet të ketë asnjë lloj hezitimi për të miratuar privatizimin. Për sa i përket teknaliteteve, se sa do të jetë vlera e këtij privatizimi, kjo është çështje ekspertësh, që kanë bërë përllogaritjet dhe kanë dalë, në vlerën e përmendur. Për të shkuar te vlera, mos ta shesin lirë ‘lëkurën’. Unë nuk e di sesa vlen, sepse janë ekspertët që e përcaktojnë. Kur të përfundojë privatizimi, vlera të jetë e tillë që të përfshijë gjithçka që ka stema e këtij klubi, pasi veç aseteve ai mbart 100 vjet histori”.

Xhabrahimi – Ndërkohë, lushnjarët vijojnë me përgatitjet për ndeshjen me Burrelin, që do ta luajnë të shtunën në stadiumin “Liri Ballabani”. Me nga 8 pikë, lushnjarët dhe matjanët, ndajnë vendin e katërt dhe të pestë. Në një sezon debutues, sulmuesi Albi Xhabrahimi është shënuesi më i mirë i Lushnjës me 2 gola. Në një prononcim për gazetën, numri 9 i lushnjarëve shprehet: “Sigurisht që nuk jam shumë i kënaqur. Mund të kisha shënuar më shumë se dy gola në këto 5 javë.

Por, edhe fati nuk ka qenë me mua. Me Besën, Lushnja tregoi që është një ekip me shumë cilësi. Edhe mund ta fitonim ndeshjen, nëse nuk do të në anulonin penalltinë. Mendoj se e kemi forcën dhe besoj se do të jemi në vendet e para. Përgatitemi për ndeshjen e radhës me Burrelin. Kundërshtari është një skuadër e fortë brenda, por ne do të shkojmë për të fituar”, deklaroi golashënuesi i lushnjarëve Albi Xhabrahimi.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"