Ish-sulmuesi tregon dallimin e vlonjatëve nga sezonet e shkuara. Ribaj: Ky Flamurtar më bind, ka më shumë cilësi
Andi Ribajn e bind ky Flamurtar, ku është investuar shumë këtë sezon. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi analizon gjithçka nga fitorja në fushën e vështirë të Kastriotit e deri te golat e shënuar.Ai flet edhe për pritshmëritë ndaj Lushnjës, teksa thotë se kundërshtari do të vijë i karikuar. Nga lojtar te Flamurtari, tashmë numri dy i pankinës ndihet mirë dhe premton përkushtim.
Ribaj, si të duket Flamurtari i këtij sezoni?
Në këto vite që Flamurtari ka qenë në këtë kategori ka pasur lëvizje të shumta, por këtë sezon kanë ardhur lojtarë me kualitet. Jo se nuk ka pasur kualitet në të shkuarën. Kemi lojtarë shumë të mirë që po bëjnë diferencën. Kjo tregohet në rezultatet dhe në fushën e lojës. Presidenti ka investuar dhe kjo gjë nuk diskutohet. Çdo vit ai bën investime kolosale, që nuk i shikon as në Superiore.
Me Kastriotin morët një rezultat të ngushtë në transfertë…
Fusha e Kastriotit në vitet e fundit ka qenë e vështirë jo vetëm për Flamurtarin, por për të gjithë, madje edhe në Superiore. E filluam shumë mirë ndeshjen dhe në pjesën e parë patëm 3-4 raste të mira. Shënuam gol në fund, pastaj në pjesën e dytë u bë lojë burrërore, lojë karakteri. Djemtë nuk u tërhoqën. Kastrioti vetëm një goditje bëri në pjesën e parë, pra Flamurtari dominoi. Nuk është si takimet e tjera që kemi luajtur në Vlorë, se edhe fusha ta lejon që ta qarkullosh topin dhe të luash rrjedhshëm. Në Fushë-Krujë fushë është e vështirë dhe nuk është e përshtatshme për të shprehur atë që përgatit gjatë javës.
Pra, prisnit më shumë gola?
Unë jam i kënaqur. Në pjesën e parë kemi pasur katër raste për gol, ndërsa në të dytën ata kërkonin të barazonin dhe ne të dyfishonim rezultatin. Në fund morën 3 pikë dhe jemi të qetë në vendin e parë.
A të bind sulmi i Flamurtarit?
Me të gjitha ekipet që ne kemi luajtur, kemi bërë diferencën si në lojë dhe në gola. Ne kemi shënuar 20 gola dhe kemi pësuar 5. Dy i kemi pësuar në ndeshjen e parë që humbëm kundër Burrelit. Vetëm në Krujë kemi fituar 0-1 dhe në çdo ndeshje kemi shënuar nga 2 gola e lart. Kjo normalisht e tregon atë se çfarë shpreh në fushën e lojës ekipi.
Në stol keni lojtarë shumë me eksperiencë, ka pakënaqësi për mos aktivizimin sa duhet?
Për mendimin tim, stoli e bën ekipin për shumë arsye. Zakonisht në stol ka edhe njerëz të pakënaqur, pasi duan të shprehin cilësinë e tyre. Këta lojtarë janë për t’u falënderuar nga ne si staf, pasi nuk kanë krijuar probleme. Ambienti është shumë i mirë, pasi po të fitosh ka pozitivitet. Janë edhe profesionistë, pasi kanë luajtur edhe në ekipe të mira dhe sjellin eksperiencat e tyre te Flamurtari.
Çfarë prisni në ndeshjen me Lushnjën?
Te Lushnja kemi dy lojtarë vlonjatë, portierin Alimuçaj dhe Deliajn. Lushnja ka ndryshuar trajner. Kanë pasur një trajner shumë të mirë, tani kanë marrë një djalë lushnjar dhe ndeshjen e fundit ka fituar 5-0. Lushnja është një nga ekipet që ka pësuar më pak gola, bashkë me Besën, Flamurtarin dhe Vorën. Duhet të merret në konsideratë, pasi ata do të vijnë të japin maksimumin. Ndodh që kur ndryshojnë trajnerët, lojtarët japin më të mirën.
Pasi latë futbollin e luajtur, ju qëndruat te Flamurtari si anëtar i stafit. A jeni i kënaqur me këtë zgjedhje që keni bërë?
E falënderojmë presidentin Idrizi, pasi na ka dhënë mundësinë që të jemi pjesë e një prej ekipeve më emblemë të kampionatit shqiptar. Jam shumë i kënaqur për këtë dhe çdo ditë punoj me përkushtim.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"