Ish-trajneri këshilla klubit, Klop: Liverpuli të rinovojë me Salah, sulmuesi më i mirë që kanë
Ish-trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, ka zbuluar se shpreson që Mohamed Salah do të qëndrojë në klub, si edhe e lavdëroi atë si sulmuesin më të mirë që “Reds” kanë parë në kohët moderne.
Kontrata aktuale e yllit egjiptian do të skadojë në fund të sezonit dhe sulmuesi ka thënë së fundmi se një marrëveshje e re është shumë larg nga finalizimi. Klop, i cili ishte në krye të “Anfield” kur Salah nënshkroi për klubin nga Roma në 2017, që atëherë nisi një karrierë të re, me një rol si kreu global i futbollit të “Red Bull”- it, por ende u përgjigjet pyetjeve për kohën e tij 9- vjeçare në Mersejsajd.
Kur u pyet për situatën gjatë konferencës së tij të parë zyrtare për shtyp në detyrën e re, gjermani u tha gazetarëve: “Shpresoj që ai të qëndrojë – ai është sulmuesi më i madh që Liverpuli ka pasur në kohët moderne. Natyrisht, ata kishin sulmues të tjerë të mirë, vërtet të mirë. Por ai është një lojtar fantastik, një qenie njerëzore fantastike, sportist i shquar, ambasadori më i mirë që mund të kishte vendi juaj (Egjipti). Ai është fantastik në të gjitha kështu që shpresoj se ai do të qëndrojë në Liverpul”.
32- vjeçari pati një ndikim të menjëhershëm pas rikthimit në Angli, ndërsa kishte kaluar një periudhë të vështirë nën drejtimin e Zhoze Murinjos te Çelsi disa vite më parë. Ai shënoi 44 gola në të gjitha kompeticionet në sezonin e tij debutues. Dyshja vazhdoi të shijonte sukses të rëndësishëm së bashku, duke fituar trofe të shumtë, përfshirë Premier Ligën, Ligën e Kampioneve, Kupën FA, Kupën e Botës për Klube dhe Kupën e Ligës.
Asnjë lojtar gjatë gjithë karrierës së menaxherit Klop nuk ka shënuar më shumë gola (211) ose ka dhënë më shumë asiste (88) sesa Salah. Këtë sezon, egjiptiani ka shkëlqyer edhe një herë nën drejtimin e trajnerit të ri Arne Slot, me 18 golat e tij dhe 13 asistet në 20 paraqitje në Premier Ligë, duke e mbajtur Liverpulin në krye të klasifikimit. Ai është gjithashtu golashënuesi më i mirë aktualisht në Premier Ligë.
Duke folur më herët në janar, Salah i tha “Sky Sports” se ai dëshironte të fitonte Premier Ligën dhe qëndronte në “Anfield”, por deri tani nënvizoi se ky ishte viti i tij i fundit në klub. Klop u ndal të komentonte edhe situatën e kapitenit Virxhil van Dajk dhe mbrojtësit tjetër, Trent Aleksander-Arnold, të cilët gjithashtu janë në skadencë kontrate me Liverpulin: “Unë do doja që t’i shihja që të tre të zgjasin kontratat e tyre me Liverpulin. Unë jam i emocionuar kur shoh Liverpulin të lulëzojë. Jam në kontakt me Arnen dhe disa lojtarë”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"