“Jam mbrojtës i ashpër”, Bytyçi: Partizani ka dy rivalë, “hakmerremi” kundër Laçit!
Te Partizani po i japin fund përgatitjeve të gjata për ndeshjen kundër Laçit, ku do të kërkohet fitorja e dytë radhazi, pas asaj kundër Dinamos në derbi.
Në prag të kësaj sfide për mediat ka folur Altin Bytyçi, një nga titullarët fiks të të kuqve në këtë sezon. 23-vjeçari vlerëson ecurinë e javëve të fundit të bardhezinjve, por edhe për veten e tij. Ai shprehet se është rikuperuar nga problemet fizike dhe sa i përket të ardhmes, arrin të “driblojë” mirë dhe përqendrohet tek e tashmja.
Altin, si po e prisni këtë ndeshje, ju vjen ndopak keq që kombëtaret jua ndërprenë hovin e fitores në derbi?
Ne çdo ndeshje e përgatisim me shumë entuziazëm. Objektivi ynë në çdo përballje është vetëm fitorja dhe ndaj Laçit do të synojmë të përmbushim këtë pritshmëri. Sa i përket ndalesës pas derbit, nuk besoj se na e ul ritmin. Kemi punuar mirë përgjatë këtyre ditëve dhe jemi plotësisht gati.
Para kësaj ndeshjeje, ndjeni rrezik nga Laçi që kërkon ringritjen apo nga Vllaznia që kërkon t’ju parakalojë?
Në këtë kampionat na ka rezultuar që çdo kundërshtar është i vështirë. Laçi në javët e fundit është kthyer në një formë shumë të mirë pas disa humbjeve që kishte në fillim të sezonit. Ajo që mund të them tani është se na pret një ndeshje shumë e vështirë, por besoj se do t’ia dalim me sukses. Sa i përket rrezikut apo frikës, ne nuk i trembemi askujt. Jemi të përqendruar vetëm te kjo ndeshje kundër Laçit dhe nuk shohim çfarë ndodh me renditjen apo rivalët.
E shihni edhe si një formë “hakmarrjeje” këtë ndeshje ndaj Laçit, pas atij barazimi me gol të pësuar në fund në fazën e parë?
Mendoj se barazimi në ndeshjen e parë ishte jo i merituar, sepse pësuam një gol të evitueshëm në minutat e fundit, por këtu mendoj se do të “hakmerremi” dhe do të hyjmë me dëshirë të madhe për fitore.
Ndeshja e fazës së parë pati tensione, e prisni diçka të tillë edhe në këtë sfidë të radhës?
Jo, këtu është një ambient shumë i qetë dhe mikpritës për të luajtur futboll. Nuk kaq presione apo gjëra të tilla. Kush vjen në stadiumin tonë, mund të luajë futboll lirshëm.
Edhe ju i keni lënë pas ato episode që kishit në Laç, apo jo?
Po, po, patjetër. Ato ishin thjesht tensione të momentit. Jemi profesionistë dhe çdo gjë e hedhim pas shpine, vijojmë përpara dhe e shohim thjesht si ndeshja e radhës në një kampionat të gjatë.
Cilat janë cilësitë e Laçit, që ju duhet t’i kushtoni kujdes në këtë ndeshje?
Mund të them se kanë sulm shumë të mirë. Kanë një tranzicion me shpejtësi mjaft të madhe, por i kemi edhe ne ato pikat tona të forta për të neutralizuar këto lëvizje të shpejta të kundërshtarit.
Keni marrë pesë kartonë të verdhë në këtë kampionat. Mendoni se duhet ta ndryshoni disi këtë mënyrë loje agresive tuajën?
Unë jam mbrojtës. Mund të ketë momente që agresiviteti është më i fortë seç duhet, por nga ana tjetër mendoj se duhet frenoj apo qetësohem disi edhe në këtë aspekt.
Tashmë që jeni ndeshur me të gjitha ekipet e Superiores. Cili mendoni se është rivali më i fortë i Partizanit?
Mendoj se dy rivalët e drejtpërdrejtë tanët janë Vllaznia dhe Egnatia. Të tjerët nuk i shoh si rivalë të drejtpërdrejtë. Nuk e kemi pasur të lehtë ndaj asnjërës, por me Rrogozhinën se arritëm të fitonim me rezultat të pastër. Me Vllazninë kemi pasur pak më shumë vështirësi, por mendoj se në ndeshjet e tjera do të bëjmë akoma më mirë.
Keni luajtur thuajse çdo ndeshje si titullar këtë sezon. Mund të na evidentoni ndonjë sulmues që ju ka vënë në vështirësi?
Nuk do të doja të evidentoja ndonjë emër konkret, por e vërteta është se kampionati ynë ka cilësi, ka lojtarë mjaft të talentuar.
Jeni rikuperuar plotësisht nga problemi muskulor që keni pasur në kohët e fundit?
Për momentin ndihem shumë mirë, nuk kam asnjë shqetësim dhe në stërvitje ka shkuar gjithçka në rregull. Po kap formën optimale që kisha para lëndimit dhe shpresoj të bëj më të mirën për ekipin.
Keni që 16 vjeç që luani në Superiore dhe keni bërë mjaft mirë. Mendoni se edhe për ju ka ardhur momenti për të bërë hapin drejt një kampionati më të fortë?
Objektivi im kryesor është të arrijmë synimet që Partizani ka vendosur si klub, më pas vjen aspekti personal. Shpresoj që kur të arrij objektivin e klubit, të bëj hapin e madh.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"