Jamal tregon episodin e çuditshëm në fund të takimit me Dortmundin: Urinova në fushë, s’më bënë kontroll më pas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2024 | 14:45

Jamal tregon episodin e çuditshëm në fund të takimit me Dortmundin: Urinova në fushë, s’më bënë kontroll më pas

Ferran Torres arriti të shënonte dy gola në fitoren 3-2 të Barcelonës kundër Dortmundit në Ligën e Kampioneve të mërkurën në mbrëmje.jamalPor ai që u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes ishte Lamin Jamal, i cili ishte protagonist me virtuozitetin e tij, duke i shërbyer dhe Ferran Torresit në golat e tij. Vetë, Jamal ka folur pas takimit, teksa ka vonuar jo pak të shfaqet para mediave si pasojë e faktit se u zgjodh për të kaluar kontrollet antidoping. Ylli spanjoll e ka kaluar me batuta atë çfarë ka ndodhur gjatë kontrollit.

“Ishte një situatë disi e çuditshme kur më thirrën për kontrollin anti-doping. Unë urinova në fushë dhe e kisha të vështirë ta bëja sërish, pavarësisht se po tentoja. Kjo është arsyeja që në fund ata nuk më lanë ta kaloja kontrollin. Në fakt dëshiroja, sepse ishte hera e parë, por nuk po mundja të pshurrja më”, tha ai për “Movistar”.

Sulmuesi i Barcelonës, ka folur gjatë intervistës së tij edhe për ndeshjen, duke vlerësuar paraqitjen e ekipit që ka bërë në një farë mënyre autokritikë pas barazimit kundër Betisit në La Liga.

“Ishte një fushë shumë e vështirë, por skuadra ishte shumë mirë deri në fund. Patëm raste të pastra, na barazuan të dyja herët që shkuam përpara, por në fund e gjetëm mundësinë për të shënuar dhe besoj se ishte një fitore e merituar. Gjithsesi, mendoj se duhet të tregohemi më të qartë dhe të shfrytëzojmë më shumë mundësitë tona”, deklaroi Jamal.

Lojtari më i mirë i ndeshjes theksoi ndër të tjera se skuadra ka mundur të mësojë nga gabimi në Sevilje dhe ka arritur të ruajë avantazhin përfundimtar.

“Pas ndeshjes kundër Betisit është diçka që duhet ta mësojmë. Në ndryshim nga takimi në Sevilje, në Dortmund pasi morëm kontrollin e ndeshjes arritëm të mbrojmë rezultatin dhe fitoren”. Jamal foli edhe për bashkëpunimin e tij me Ferran Torresin, të cilit i serviri nga dy golat e spanjollit.

“Ne e kuptojmë mjaft mirë njëri-tjetrin në fushë. Në ‘Benito Villamarín’ ishte gjithashtu një veprim i ngjashëm. Jam i lumtur për të dhe për të dy golat që ai shënoi”, deklaroi sulmuesi 17- vjeçar i Barcelonës. Jamal shpjegoi gjithashtu pasimin e tij spektakolar me anën e jashtme te Rafinja. “Gjithçka më vjen natyrshëm tani… Është një burim që më ka funksionuar shumë mirë kohët e fundit, të jem i sinqertë, më vjen natyrshëm, nuk është se po e bëj vazhdimisht në stërvitje, më del” komentoi ai.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"