Janë në krye të renditjes, Eni Imami: Kampionat i vështirë, Vora nuk ndalet deri në fund
Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për të mbyllur vitin, Vora ka si mision që Viti i Ri ta gjejë në vend të parë. Vora pret sot në orën 13:30 Korabin dhe fitorja mbetet objektivi i vetëm për këtë sfidë.
Kundërshtari, ndryshe nga edicionet e fundit, këtë sezon lufton për mbijetesë. Kjo tregon se Vora nuk do ta ketë të vështirë si sezonin e kaluar ndaj dibranëve, gjithsesi kujdesi kërkohet pasi çdo ekip di të bëjë “keq”.
Megjithatë, për qendërmbrojtësin me përvojë, Eni Imami, Vora nuk do të ndalet deri në fund të këtij viti dhe do t’ia dalë të fitojë edhe dy takimet e mbetura.
“Kampionati sa vjen e bëhet më i vështirë për skuadrat e Kategorisë së Parë. E kam deklaruar edhe herë të tjera, se kampionati i kësaj kategorie është nga më të vështirët. Tashmë jemi futur në një fazë ku të gjitha skuadrat kërkojnë pikët, si pretendentët, por edhe që luftojnë për mbijetesë.
Vora ka objektivat e saj, që do ti realizojë këtë vit, duke e mbyllur në vendin e parë. Na kanë mbetur edhe dy takime për 2024-ën, me Korabin në shtëpi dhe në Pogradec. Janë dy sfida delikate, por Vora është e përgatitur për t’i kaluar me sukses të dyja ndeshjet. Në çdo përballje kemi në mendje fitoren. Kështu do të veprojmë fillimisht sot ndaj Korabit dhe më pas në Pogradec, duke e mbyllur 2024- tën në vendin e parë”, e mbylli Imami.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"