Java 10-të e Superiores, njihuni me formacionin më të mirë dhe më të dobët. Notat e skuadrave nga Bylisi te Teuta
Në javën e 10-të të Superiores spikatën katër barazime, teksa vetëm Bylisi ia doli të mposhtë Teutën. Panorama Sport ka ndërtuar formacionin më të mirë dhe më të dobët të javës.
Ndërkohë që gjeni dhe notat e skuadrave ku sigurisht spikat Bylisi me fitoren 4 me 0. Gjithçka mbyllet me Teutën, që zhgënjeu duke marrë humbje të thellë në Ballsh.
FORMACIONI MË I MIRË
FORMACIONI MË I DOBËT
NOTAT E SKUADRAVE
BYLIS 8 – Transformohet papritur skuadra ballshiote, që pas disa humbjeve radhazi jo vetëm fiton, por e bën me goleadë ndaj një prej kundërshtarëve më në formë. Katër gola dhe dominim total ndaj Teutës, që tregojnë se Bylisi nuk është ekip për fundin e tabelës.
SKËNDERBEU 7.5 – Merr pikë në një ndeshje, që të gjithë e menduan të humbur, kur kapiteni Prençi la ekipin me 10 vetë. Skënderbeu sakrifikoi dhe ia doli të shmangte humbjen në Elbasan, madje krijoi edhe rastin ideal për të shkuar të fitorja, por që nuk e shfrytëzoi.
PARTIZANI 6.5 – Një ndeshje e mirë e të kuqve në Shkodër, ku ata shpërdoruan shumë raste për shënim dhe në lojë ishin pak më mirë. U përmbysën me dy gola nga Vllaznia, por këmbëngulën deri në fund dhe rrëmbyen barazimin që i mban në vend të parë.
EGNATIA 6.5 – Barazimi nuk është rezultati që kampionët do të donin, sidomos në fushën e tyre. por ashtu si shkoi ndeshja me Dinamon, me 40 minuta me një lojtar më pak, është e pranueshme edhe pika. Egnatia nuk u rrezikua shumë nga kryeqytetasit në superioritet numerik.
VLLAZNIA 6 – Mund të ishte treguar më e kujdesshme në një ndeshje, ku e kishte fitoren në duart e saj. Ka meritën që përmbys rezultatin kundër ekipit kryesues të Superiores, por më pas e menaxhon keq. Mbrojtja harron sulmuesin Mba, i cili i heq 2 pikë të çmuara në fund.
LAÇI 6 – E përballon mirë Tiranën në një ndeshje transferte, edhe pse realisht luhej në fushë asnjanëse. Krijon raste dhe qëndron në lojë deri në sekondat e fundit, ku fati e ndihmon për të marrë një pikë, që e meritoi me atë që prodhoi në fushë.
DINAMO 6 – Kishte rastin që të përfitonte në fushën e një rivali direkt si Egnatia, që mbeti me 10 vetë për më shumë se gjysmë ore, por Dinamo nuk bëri mjaftueshëm për të fituar në Rrogozhinë. Ka krijuar stabilitet, por i mungon ende hapi për të bërë diferencën.
TIRANA 5.5 – Një tjetër mundësi e shpërdoruar nga skuadra kryeqytetase, që vazhdon të lërë pikë të rëndësishme dhe ndaj kundërshtarëve relativisht më të dobët. Nuk mundi ta mbyllte ndeshje dhe në fund u penalizua edhe fati i keq me një autogol.
ELBASANI 5 – Fakti që krijoi shumë raste kur kundërshtari ishte me 10 vetë për më shumë se një pjesë loje, nuk e justifikon Elbasanin, që për të disatën herë dështon të marrë kryesimin. Një ekip i pjekur di t’i zgjidhë ndeshje të tilla, ku fitorja është detyrim.
TEUTA 4 – Asgjë të mirë nuk bënë durrsakët në transfertën e Ballshit, ku pësuan 4 gola. Një ndeshje për t’u harruar nga Teuta, që ka një problem të madh me prapavijën. Mungesa e Jazxhi dhe dëmtimet e pjesës së parë nuk e justifikojnë atë paraqitje aq të dobët.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"