Java 21 e Superiores/ Notat e skuadrave, shikoni formacionin më të mirë dhe më të dobët
Notat e skuadrave si dhe formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së 21-të të Kategorisë Superiore sipas “Panorama Sport”:NOTAT E SKUADRAVE
EGNATIA 8.5 Kampionët në fuqi kanë treguar “dhëmbët” me një fitore “të pazakontë” për ta në këtë kampionat. Kanë mundur Tiranën 0-4 në fushën e saj, duke dhënë një sinjal të qartë se Egnatia po vjen edhe me lojë. Pavarësisht situatës të Tiranës, kjo fitore bindëse tregon shumë.
VLLAZNIA 8.5 Edhe për shkodranët kjo javë solli një fitore bindëse. Duhet pranuar se Skënderbeu u duk i dorëzuar në këtë ndeshje, por Vllaznia u tregua shumë serioze në fushë, bëri detyrën e saj dhe u kthye në Shkodër me një “poker” golash, që rrit më tepër besimin.
BYLIS 8 Fitorja e parë në transfertë për Bylisin, në fushën e një rivali direkt dhe me shifra që lënë pak vend për diskutim: 0-3. Ballshiotët janë një nga skuadrat më të mira të momentit. Në Laç shfrytëzuan më mënyrën më të mirë mungesat e kundërshtarit.
DINAMO 8 Dinamo ka treguar në Elbasan personalitetin e një skuadre që jo më kot u shpall kampione dimri. Në një ndeshje që nisi dhe përfundoi me tension në tribuna, blutë bënë një paraqitje mjaft të mirë, gabuan shumë pak dhe merituan 3- pikëshin.
PARTIZANI 7.5 Kryesuesit e Superiores janë rikthyer te fitorja në Durrës, ku shfrytëzuan në mënyrën më të mirë dobësitë e Teutës. Partizani krijoi dhe humbi disa raste në pjesën e parë, por në të dytën gjeti rrugën e rrjetës edhe me pak fat. Pikët janë ato që vlejnë.
TEUTA 5.5 Paraqitje shumë e dobët e Teutës, që mund të kishte humbur më thellë ndaj Partizanit. Durrsakët vuajtën në çdo aspekt, ndërsa mungesat nuk janë justifikim për atë që u pa në fushë. Me këtë humbje Teuta fillon të ndjejë “ethet” e zonës së rënies nga kategoria.
ELBASANI 5 Gabime të pafalshme në një ndeshje shumë të rëndësishme për fatet e “Final 4”. Mungesat dhe dëmtimet e lojtarëve gjatë ndeshjes kanë ndikimin e vet, por Elbasani bëri shumë pak për të marrë rezultat pozitiv ndaj një kundërshtari me kualitet.
LAÇI 5 U penalizua nga mungesat, sepse të luash pa 3 titullarë në një sfidë rivalësh nuk është e lehtë, por ajo humbje 0-3 rëndon shum për Laçin. Aq më tepër në fushën e tij, ku ka përballuar me sukses dhe pretendentët. Kurbinasit gabuan shumë në lojën mbrojtëse.
TIRANA 4 Vetëm një pjesë rezistoi Tirana, më pas u shkërmoq totalisht, duke pësuar një humbje shumë të rëndë, që ia komplikon shumë situatën e mbijetesës. Jo vetëm rezultati, edhe paraqitja në fushë ishte krejtësisht për t’u harruar për skuadrën kryeqytetase.
SKËNDERBEU 4 As lojë dhe as rezultat. Zhgënjim total nga Skënderbeu, që humbet ndoshta edhe “trenin e fundit” të mbijetesës në Superiore. Në një terren që duhej të ishte në favor të tij, ekipi korçar nuk bëri asgjë dhe humbi me goleadë. Mungesë e theksuar besimi, që lë pak shpresë për të ardhmen.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"