Java e 11-të e Superiores/ Notat e skuadrave, shikoni formacionin më të mirë dhe më të dobët
“Panorama Sport” ju paraqet notat e skuadrave për atë që dhanë në javën e 11-të të Superiores, formacionin më të mirë dhe të dobët të kësaj jave.NOTAT E SKUADRAVE
VLLAZNIA 8 – Fiton “Klasiken” e Shqipërisë me 4 gola dhe kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë një shkelm minikrizës së rezultateve. Vllaznia ishte padrone e fushës në sfidën me Tiranën, edhe pse në fund lëshon disi. Një fitore që vlen vendin e dytë.
LAÇI 7.5 – Moment i shkëlqyer për Laçin. Këtë herë janë kampionët në fuqi të Egnatias që duhet të pranojnë humbjen nga skuadra e Morieros. Kurbinasit bëjnë gjithçka mirë, duke dominuar ndaj një kundërshtari me më shumë lojtarë me kualitet në përbërje.
PARTIZANI 7.5 – Nuk ishte ndeshja më e mirë e Partizanit në Korçë. Të kuqtë fituan 0-2 dhe kanë ruajtur vendin e parë në renditje, por niveli i lojës përballë një Skënderbeu pa gjysmën e titullarëve nuk ishte ai që pritej.
BYLIS 7 – Një pikë në fushën e Dinamos është e rëndësishme për skuadrën ballshiote, që duket në një formë shumë të mirë. Bylisi në fakt dominoi pjesën më të madhe të ndeshjes ndaj bluve, goditi dy herë shtyllën dhe mund të merrte më shumë në Elbasan.
ELBASANI 6.5 – Mbetet mbrojtja më e fortë e kampionatit. Skuadra e trajnerit Bordin merr një pikë të çmuara në Durrës, që e mban në katërshen e parë. Verdheblutë bëjnë mirë në fazën mbrojtëse, kurse në sulm kanë diçka për të rregulluar.
TEUTA 6 – Bën gjithçka skuadra durrsake për t’u kthyer te fitorja pas asaj humbjeje të thellë në Ballsh, pot ndoshta edhe fati nuk ishte me të. Teuta vuajti mungesat dhe nuk pati qartësinë e duhur në finalizimin e aksioneve.
DINAMO 6 – Vetëm një pikë ndaj Bylisit, që gjithsesi vlen vendin e 3-të, nuk ishte ajo që skuadra e Dajës kërkonte, pasi u humb shansi për vendin e dytë. Vuan shumë Dinamo ndaj Bylisit, por reagon pas golit të pësuar dhe shmang humbjen.
SKËNDERBEU 4 – Mund të justifikohet me mungesat e shumta skuadra korçare, që në fushën e saj u mund 0-2 nga Partizani. Skënderbeu e pati shumë të vështirë ta godiste ekipin kryesues dhe u ndëshkua lehtë nga kundërshtari, që nuk iu desh të djersinte shumë.
EGNATIA 4 – Vetë fjalët e trajnerit Tetova e përmbledhin qartë atë që bëri Egnatia në fushën e Laçit. “Ishim inegzistentë”, tha ai. Kampionët në fuqi pësuan 2 gola dhe nuk mundën në asnjë moment ta vinin në vështirësi kundërshtarin.
TIRANA 4 – Rezultati final të jep përshtypjen sikur Tiran ishte në lojë në sfidën me Vllazninë. Por nuk ishte kështu, sepse bardheblutë e mbyllën ndeshjen shumë shpejt, duke pësuar 3 gola nga shkodranët që në pjesën e parë. Lojë me shumë gabime, sidomos në mbrojtje.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"