Java e 9-të e Superiores/ Notat e skuadrave, shikoni formacionin më të mirë dhe më të dobët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2024 | 21:50

Java e 9-të e Superiores/ Notat e skuadrave, shikoni formacionin më të mirë dhe më të dobët

Javë e varfër sa u takon golave të shënuar, ku në 5 ndeshje nuk u realizuan më shumë sesa 7 gola, madje njëri ishte autogol (Dajsinani i Laçit). Pjesa më e madhe e tyre (4) u realizuan në LaçiVllaznia. Derbi Tirana-Dinamo dhe Egnatia-Teuta nuk prodhuan asnjë gol. Përveç këtyre 4 skuadrave, shijen e golit nuk mundi ta provonte as Bylisi.

Superiore

*Vetëm 2 skuadra ia dolën të fitonin në javën e 9-të, Skënderbeu në fushën e Bylisit dhe Laçi kundër Vllaznisë.

*Vetëm një penallti u akordua këtë javë dhe ajo i takon Egnatias, por Vuthaj, i cili e fitoi, nuk mundi ta kthente në gol.

*Edhe 2 kartonët e kuq që u dhanë I takojnë ndeshjes me Egnatias dhe Teutës. Njëri u dha në fushë për mbrojtësin Dylis, kurse tjetri në stolin e rrogozhinasve për protesta ndaj gjykimit.

*Laçi për herë të parë ka lënë vendin e fundit në tabelën e renditjes, falë fitores së parë (kundër Vllaznisë) në këtë kampionat.

*Bylisi prej 5 javësh radhazi jo vetëm që nuk arrin të marrë pikë, po as po gjen dot rrugën e rrjetës.

Shikoni notat e skuadrave si dhe formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së 9-të të Kategorisë Superiore sipas “Panorama Sport”:

LAÇI 8.5 – Kishte ndoshta shansin e fundit për të nisur ngjitjen dhe ia doli të mposhtte një kundërshtar të fortë, si Vllaznia, madje edhe me përmbysje. Kurbinasit treguan se nuk janë skuadër për vendin e fundit dhe në vazhdim të kampionatit pritet të jenë faktor i rëndësishëm.

formacioni me i mire

SKËNDERBEU 8.5 – Edhe korçarët ishin nën presion pas rezultateve të fundit, por gjetën forcën të reagonin në një transfertë të vështirë si ajo e Bylisit. Një fitore në fushën e një rivali direkt vlen shumë në çdo aspekt, jo vetëm për klasifikimin.

PARTIZANI 6.5 – Ndeshje pozitive për kryesuesit e tabelës së renditjes. Partizani nuk mori maksimumin këtë javë, por luante në fushën e një rivali si Elbasani dhe në shumicën e kohës ishte superior. Mund tra kishte vrarë ndeshjen me rastet që krijoi.

TEUTA 6.5 – Ruan pathyeshmërinë e javëve të fundit edhe në fushën e kampionëve në fuqi, ku barazimi është i pranueshëm. Teuta bëri mirë ndaj Egnatias, krijoi raste dhe goditi edhe traversën me Vilën. Ka vazhdimësi në rezultat dhe mbetet aty pranë kreut.

ELBASANI 6.5 – Merr një goditje nga kundërshtari, por nuk e humb toruan dhe reagon mirë. Arrin të barazojë shpejt dhe më pas, i mbështetur edhe nga publiku i zjarrtë, krijon raste për të shkuar te goli i fitores. Në momente të caktuara duket vërtet ekip simpatik.

DINAMO 6 – Duke e parë si ndeshje transferte, barazimi në derbin me Tiranën i shkon për shtat Dinamos, që pas kësaj sfide ngjitet në vend të 3-të. Blutë bënë një pjesë të parë goxha të mirë, por lëshuan terren në të dytën. Prej 7 javësh marrin rezultatet pozitive.

TIRANA 6 – Fati ndoshta nuk ishte më të në rastin e dy traversave të Prengës, por skuadra bardheblu hasi jo pak vështirësi në pjesën e parë të derbit të luajtur në Vlorë. Mbetet një skuadër fragmentare, që me barazimet e shumta bën më shumë prapa sesa para në tabelë.

EGNATIA 5 – Humbi një mundësi të mirë për të thyer tabunë “Teuta” dhe për të treguar autoritetin e ekipit kampion. Egnatia, pavarësisht se luajti mirë, më shumë penalizoi veten me atë penallti të humbur që në fillim dhe pastaj me të kuqin që kushtëzoi pjesën e dytë.

VLLAZNIA 4 – Ka fatin të kalojë në avantazh me një autogol të Laçit, por më pas shpërdoron gjithçka, duke u ndëshkuar me 3 gola, që për një skuadër me pretendime janë shumë. Mungesat e disa titullarëve kanë ndikimin e vet, por ndeshja në Laç mund të menaxhohej më mirë.

formacioni me i dobet

BYLISI 4 – Duket një skuadër pa besim në vetvete, edhe pse ka përfunduar vetëm faza e parë. Shpërdoron shumë dhe ndëshkohet lehtë. Në fushën e vetë dhe ndaj një rivali direkt, të paktën nuk duhej të kishte humbur. Ndeshja e pestë radhazi pa pikë dhe pa gol.

trajneri

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"