Java e fundit/ Fiziku, rotacioni dhe konkretizimi, sinjale alarmi për Inzagin
Tri ndeshjet e fundit të Interit kanë pasur një sërë rreziqesh, paralajmërimesh dhe dyshimesh për Interin. Nga Real Sociedadi tek Empoli e Sasuolo ka pasur një të përbashkët: kur u mungon intensiteti, skuadra e Inzagit humbet qartësinë dhe bëhet e parashikueshme dhe e pambrojtur.
Më pas, është e vërtetë, ka dallime mes humbjes ndaj Sasuolos, fitores në Empoli dhe barazimit ndaj Real Sociedadit, por të gjitha dërguan paralajmërime që nuk duhen nënvlerësuar. E para ka të bëjë me forcën fizike: ndaj emilianëve pjesa e dytë i pa zikaltrit të dorëzuar.
Të gjithë, pa asnjë përjashtim. Lodhja i ka bërë të humbin kthjelltësinë, u ka turbulluar mendjet, u ka fshirë linjat e pasimit. Edhe zëvendësimet nuk sollën freski, diçka që kishte ndodhur në Champions kur “rezervat” ngritën ritmin dhe ringjallën skuadrën (edhe për shkak të rënies së kundërshtarëve). Sasuolo, jo vetëm që nuk u tërhoq, por vrapoi shumë më tepër dhe sigurisht më mirë.
KONKRETIZIMI DHE ALTERNATIVAT – Aspekti i dytë ka të bëjë me një problem kronik për Interin: konkretizimin para portës. Vetë Inzagi e kishte theksuar këtë në prag të ndeshjes: ndaj Empolit Interi kishte përfunduar në vështirësi, jo vetëm sepse kishte mbetur me dhjetë lojtarë për shkak të dëmtimit të Arnautoviçit, por edhe për shkak të mundësive të humbura më parë.
Intensiteti i munguar me Real Sociedadin u pa sërish edhe me Sasuolon, ashtu siç u shfaq edhe me Empolin: vetëm diferenca në cilësi e kundërshtarëve solli rezultate të ndryshme. Inzagi ka një skuadër të plotë: në Ligën e Kampioneve rotacioni masiv nuk dha rezultat, por në ndeshjen e katërt në dhjetë ditë ai ndoshta duhet të kishte ndërruar disa lojtarë, të paktën aty ku ishte e mundur. Darmian nuk merr kurrë frymë, për shembull, dhe e meritonte.
Klasen përfaqëson një mundësi. Karlos Augusto do ta kishte lënë Dimarkon të merrte frymë që në minutën e parë. Ndjesia e momentit na shtyn të themi edhe se Fratezi është më në formë se Barela. Por këtu hyjmë në fushën e zgjedhjeve. Zgjedhjet që nuk janë të mundshme përpara: Lautaro dhe Turam janë thelbësore, por ata nuk kanë energji të pafundme. Argjentinasi në veçanti duket i lodhur, por nuk ka zgjidhje alternative:
Sançezit aktualisht nuk i kanë mbetur më shumë se 30 minuta në këmbë. Dëmtimi i Arnautoviçit evidentoi atë të metë që dyshohej që në fillim, edhe para tri paraqitjeve të fundit. Së fundmi, mbi të gjitha këto ekziston një rrezik, të cilin Inzagi duhet ta zgjidhë sa më parë: ekipi i tij duket se ka një fije arrogance. Kështu kthehemi te koncepti fillestar: Interi është i fortë, por nuk mund të lejojë të humbasë intensitetin, para së gjithash mendor. 270 minutat e fundit kanë dërguar sinjale që duhen lexuar dhe përtypur sa më shpejt të jetë e mundur.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"