Java e fundit në Kategorinë e Tretë/ Skrapari gjen fitoren, barazon Drini (REZULTATET DHE RENDITJA)
Me dy ndeshjet e zhvilluara dje në Kamzë, ka nisur dhe java e fundit e kampionatit të Kategorisë së Tretë.
Fillimisht kanë dalë në fushë Drini dhe Spartaku. Të dyja skuadrat kanë zhvilluar një ndeshje mjaft të bukur e të fortë, por në fund nuk pati gola dhe fitues.
Sulmuesit nuk i kanë finalizuar dot rastet, por edhe për meritë të dy portierëve. Beqollari godet dy herë portën, por Bojan pret shkëlqyeshëm. Ndërsa Drini në fraksionin e dytë pati dy mundësi shënimi.
Në të 58’, Doçaj godet fort, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule. Ndërsa Klidjan Hasalami në të 78’ godet nga 25 metra e topi kalon rrafsh me traversën e Bahollit.
Në ndeshjen e dytë, Skrapari ka mundur 5-2 Eagles, duke i bërë një mbyllje fantastike sezonit.
Shifrat u zhbllokuan nga 17- vjeçari Elton Lame para fundit të pjesë së parë.
Më herët dy lojtarë janë konfliktuar me njëritjetrin, Lamçe dhe Elezi, të cilët gjyqtari Bacaj i nxori me të kuq.
Në fraksionin e dytë skraparllinjtë kanë shënuar dhe 4 gola, të ndarë me dy dopieta, fillimisht Rrushi i sapofutur në lojë dhe më pas Demko.
Për “shqiponjat” kryeqytetase shënuan Murrja dhe Haxhiaj. Gara mbyllet më 4 maj, kur në Tropojë do të luhet Valbona-Osumi dhe ndoshta në “Selman Stërmasi” Delvina-Elbasani.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"